Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për arrogancë, mashtrim dhe deformim të demokracisë. Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Ndoka e cilëson Ramën si “padrino të shtetit” dhe shprehet se qeverisja e tij po përballet me një krizë të thellë politike.
Sipas Ndokës, 16 vitet në pushtet janë karakterizuar nga skandale qeveritare, dobësim i opozitës, mungesë konsensusi për reformat madhore dhe probleme që, sipas tij, kanë ndikuar në të ardhmen e vendit. Ai përmend largimin e të rinjve, tkurrjen e popullsisë dhe emigrimin e familjeve e të elitës shqiptare.
Duke iu referuar protestave të zhvilluara gjatë muajve të fundit dhe mobilizimit të studentëve, Ndoka thekson se zemërimi qytetar nuk mund të përdoret për të shmangur përgjegjësinë politike të qeverisë. Ai dënon dhunën dhe shkatërrimin, por njëkohësisht akuzon kryeministrin se nuk po reflekton për situatën e krijuar.
Ndoka kritikon edhe mënyrën se si Rama iu është drejtuar studentëve, duke iu referuar dialogut të propozuar nga kryeministri dhe debatit për burimin e parave të një studenti për blerjen e telefonit.
“Ky është dialogu i një kryeministri që ka humbur kontaktin me realitetin!”, shkruan Ndoka.
Në reagimin e tij, kreu i demokristianëve shprehet se studentët nuk duhet të trajtohen si njerëz të nënshtruar ndaj pushtetit, por si qytetarë me të drejta dhe aspirata europiane.
“Edi Rama, koha jote politike ka mbaru!”, deklaron Ndoka, duke i kërkuar kryeministrit të largohet nga pushteti.
“Largohu! Dështimi yt nuk mund të bëhet fati i një kombi!”, përfundon reagimin e tij Nard Ndoka./ad
View this post on Instagram
