Policia ka arrestuar shtetasin Ervin Kaftiraj 45-vjeç, pasi është kapur në flagrancë pranë rrethrrotullimit të TEG-ut me një sasi kokaine.
Pas kontrolleve të ushtruara në banesën e tij janë gjetur dhe armë. Sasia e sekuestruar e kokainës është 1.3 kg.
“Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, në kuadër të një procedimi penal ndjekur me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Cargo 1”.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. K., 45 vjeç, banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në një parkim, në afërsi të Rrethrrotullimit të Tegut, shtetasin E. K., të cilit iu gjet një sasi lënde narkotike kokainë, që dyshohet se e posedonte me qëllim shitjen në sasi, në zona të ndryshme të Tiranës.
Më tej, gjatë kontrollit të banesës, iu gjet 1 armë gjahu dhe 1 armë sportive. Lënda narkotike, së bashku me 1 motomjet, 1 aparat celular, 1 armë gjahu dhe 1 armë sportive, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, njofton policia./K.M
