Autoritetet franceze kanë nisur një hetim për tentativë vrasjeje pasi u hodhën bomba molotov ndaj forcave të sigurisë gjatë protestave këtë fundjavë në Paris, thanë sot prokurorët.
“Mjete shpërthyese u hodhën ndaj 15 xhandarëve, si dhe ndaj oficerëve të policisë”, deklaroi prokuroria, duke shtuar se kishte nisur një hetim për “tentativë vrasjeje të personave që ushtronin autoritet publik”.
Siç u tha, gjendja e të lënduarve po vlerësohet, dhe midis tyre ka edhe nga ata që kanë marrë djegie të shkallës së dytë.
Zyra e Prokurorit njoftoi se askush nuk është arrestuar në këtë fazë të hetimit, duke shtuar se hetuesit po punojnë për të identifikuar personat përgjegjës, raporton France24.
Përleshjet shpërthyen në Paris dhe qytete të tjera të shtunën në mbrëmje, pasi qindra mijëra njerëz morën pjesë në protesta kundër rritjes së ndjeshme të kostos së jetesës për fundjavën e tretë radhazi.
Prefektura e policisë së Parisit njoftoi se disa qindra protestues sulmuan forcat e sigurisë me raketa, përfshirë kokteje molotovi.
Ministri i Brendshëm Laurent Núñez dënoi nivelin jashtëzakonisht të lartë të dhunës së treguar nga disa protestues.
Ministria e Brendshme njoftoi sot se më shumë se 770 persona u arrestuan gjatë protestave në Francë, të cilat u zhvilluan gjatë fundjavës./ad
