Last Updated on 02/11/2026 by EL
Në një kohë kur ekonomitë kërkojnë gjithnjë e më shumë ura bashkëpunimi, tregjet po rikonfigurojnë marrëdhëniet e tyre dhe konkurrenca ndërkombëtare po e vendos inovacionin në qendër të zhvillimit, Tirana bëhet për katër ditë një pikë takimi e ideve, kapitalit dhe vizionit sipërmarrës. Nesër, Pallati i Kongreseve hap dyert për edicionin e 32-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, organizuar nga Klik Ekspo Group, një ngjarje që e tejkalon konceptin tradicional të ekspozimit të produkteve dhe shërbimeve për t’u shndërruar në një hapësirë dialogu ekonomik, diplomacie tregtare dhe partneritetesh ndërkombëtare.
Mbi 300 kompani, përfaqësues nga më shumë se 12 vende, institucione, dhoma tregtie dhe organizata biznesi do të sjellin në kryeqytet përvojën, teknologjinë dhe potencialin e tyre, duke krijuar një panoramë të larmishme të ekonomisë bashkëkohore. Nga energjia dhe ndërtimi te teknologjia, bujqësia, industria ushqimore, turizmi dhe trashëgimia kulturore, TIF32 synon të ndërtojë një dialog mes sektorëve që po formësojnë të ardhmen e ekonomisë.
Por rëndësia e një panairi ndërkombëtar nuk matet vetëm me numrin e ekspozuesve apo sipërfaqen e stendave. Ajo që e bën këtë platformë veçanërisht domethënëse është mundësia për të kthyer takimin në marrëdhënie, prezantimin në bashkëpunim dhe idenë në një projekt konkret. Me rreth 5 mijë takime biznesi të parashikuara, TIF32 synon ta vendosë Shqipërinë në një hartë më të gjerë të komunikimit ekonomik rajonal dhe ndërkombëtar.
Në këtë kuptim, Tirana nuk do të jetë thjesht mikpritëse e një panairi, por skenë e një dialogu të hapur mes bizneseve, institucioneve dhe tregjeve, ku potenciali shqiptar takohet me përvojën ndërkombëtare dhe ku partneritetet e reja mund të marrin formë.
Që prej 1994, kur Shqipëria po mbrunte marrëdhëniet e saj me ekonominë e tregut
të lirë, Panairi Ndërkombëtar i Tiranës krijoi thuajse ab novo një hapësirë ku sipërmarrja
shqiptare takohet me përvojën ndërkombëtare dhe ku njohjet profesionale mund të marrin
formën e bashkëpunimeve afatgjata. Duke mbërritur në edicionin e 32-të, TIF mbart një
histori të punës së përbashkët me sipërmarrës, institucione dhe përfaqësi ekonomike, të
cilat kanë gjetur në Tiranë një podium për të prezantuar aftësitë e tyre dhe për të njohur
mundësitë e vendit.
Aderimi i Klik Ekspo Group në rrjetet ndërkombëtare CEFA – Central European Fair
Alliance dhe UFI – Global Association of the Exhibition Industry, si edhe statusi UFI Approved
Event që Panairi mban prej vitit 2010, i vetmi në Shqipëri, e lidhin këtë përvojë me
komunitetin profesional të industrisë së ekspozitave mbarëbotërore. Në këtë vazhdimësi,
katër ditët e nëntorit mbledhin mbase punën e një viti, por edhe marrëdhëniet e shumë
viteve, duke e bërë të dukshme atë që ndërtohet gradualisht përmes besimit dhe
bashkëpunimit.
Profili i Panairit Ndërkombëtar i Tiranës
Me një histori mbi tri dekada dhe tashmë në edicionin e 32-të, Tirana International
Fair është kthyer në një nga platformat më jetëgjata të dialogut ekonomik ndërkombëtar
në Shqipëri. Si UFI Approved Event, TIF32 ndërtohet këtë vit nën konceptin “Fair of
Fairs”: një arkitekturë e integruar ekosistemesh sektoriale – Gallery of Nations, TIF
Power & Construction, TIF Tech, TIF Agro dhe TIF Explore & Heritage – ku secili sektor
ruan identitetin dhe audiencën e vet, ndërsa së bashku krijojnë një hapësirë të vetme për
ekspozim, politika zhvillimi, investime, teknologji dhe bashkëpunim ndërshtetëror.
TIF Power & Construction bashkon energjinë, industrinë, ndërtimin dhe
infrastrukturën, ndërsa TIF Explore & Heritage sjell turizmin, destinacionet dhe shërbimet
e mikpritjes në marrëdhënie me cilësinë e hapësirave dhe trashëgiminë që i dallon. Një
projekt hoteli ose resorti mund të kërkojë në të njëjtin Panair partnerin e ndërtimit,
zgjidhjen energjetike, arredimin dhe teknologjinë që i nevojitet për të funksionuar.
TIF Agro & Food e lidh prodhimin dhe përpunimin ushqimor me tregtinë e
eksportin, përfshirë nevojat për paketim, certifikim dhe logjistikë, ndërsa TIF Tech
prezanton zgjidhje digjitale, automatizim dhe teknologji që u shërbejnë të gjithë sektorëve.
Gallery of Nations i jep kësaj strukture përfaqësimin ndërkombëtar përmes pavijoneve
dhe pjesëmarrjeve kolektive, duke ruajtur hapësirën që çdo kompani të prezantohet me
identitetin dhe interesat e veta. Programi kulturor dhe prezantimet cooking-show, të
parashikuara krahas veprimtarive profesionale, e pasurojnë këtë takim me historinë e
produkteve dhe traditat e mikpritjes, duke i dhënë publikut mundësinë të njohë kulturën
nga e cila burojnë.
Ekspozuesit, Sipërfaqja dhe përfaqësimi ndërkombëtar
TIF32 mbledh mbi 300 kompani ekspozuese, duke konfirmuar dimensionin ndërkombëtar
dhe karakterin shumësektorial të Panairit.
– 300+ kompani ekspozuese;
– 65% kompani të huaja
– 8.000 m² sipërfaqe ekspozuese.
– 15+ institucione dhe ente shtetërore pjesëmarrëse.
– 12+ vende të përfaqësuara: Italia, Greqia, Austria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Bosnjë-
Hercegovina, Irlanda, Gjermania, Mali i Zi, Serbia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e
Bashkuara të Amerikës, ndër të tjera.
– 10+ shoqata biznesi dhe dhoma tregtie pjesëmarrëse.
Shifra orientuese sipas platformave tematike:
TIF Power & Construction – mbi 70 kompani në sektorët e energjisë, ndërtimit,
infrastrukturës dhe teknologjisë industriale.
TIF Agro & Food – rreth 70 kompani në bujqësi, agropërpunim, prodhim
ushqimor, paketim dhe tregtim.
TIF Explore & Heritage – mbi 60 kompani në turizëm, hoteleri, agroturizëm dhe
shërbime të lidhura me destinacionet dhe trashëgiminë kulturore.
TIF Tech – mbi 50 kompani, përfshirë sipërmarrje të reja në teknologjitë digjitale,
automatizim, siguri kibernetike dhe shërbime për biznesin.
Pesha ndërkombëtare e këtij edicioni merr kuptim në takimin me një përfaqësim
shqiptar që sjell prodhim, përvojë profesionale dhe projekte zhvillimore. Kompanitë
vendase kanë mundësi të prezantojnë cilësinë e ofertës së tyre përpara partnerëve të huaj,
ndërsa këta të fundit e njohin Shqipërinë përmes sipërmarrjeve që prodhojnë, ndërtojnë
dhe investojnë në të. Ky shkëmbim e afron mundësinë e tregut ndërkombëtar me punën e
përditshme të biznesit shqiptar.
Partnerët dhe Programi Institucional
Marrëdhëniet e kultivuara me dhomat e tregtisë, agjencitë e investimeve dhe
përfaqësitë diplomatike i japin TIF një shtrirje këndgjerë ndërkombëtare. Në rrjetin e
marrëdhënieve ekonomike të këtij edicioni janë Chamber of Economy of Montenegro,
Invest North Macedonia, vbw- Shoqata për Promovimin e Marrëdhënieve Ekonomike dhe
Politike Ndërmjet Bavarisë dhe Shqipërisë, Advantage Austria, Dhoma e Ekonomisë së
Janinës, Dhoma e Tregtisë për Investimet e Huaja e Bosnje Hercegovinës, me të cilat puna
për afrimin e kompanive dhe të vizitorëve profesionistë lidhet me interesat e tregjeve që
përfaqësojnë. Programi i takimeve, i zhvilluar në bashkëpunim me AIDA-n dhe Enterprise
Europe Network (EEN), u jep këtyre objektivave një formë praktike, duke afruar kompani
me interesa të përbashkëta dhe duke përgatitur kushtet pë marrëveshje dhe kontrata.
Programi i konferencave synon t’u japë hapësirë çështjeve që ndikojnë drejtpërdrejt
në zhvillimin e sektorëve: cilësia e ndërtimit dhe siguria energjetike, turizmi gjatë gjithë
vitit, kërkesat e tregjeve të eksportit, gjurmueshmëria ushqimore dhe përdorimi i
teknologjisë në rritjen e produktivitetit.
Bashkëpunimi me Italinë dhe nisma ManiFuture
Prania italiane në TIF32 mbështetet në një marrëdhënie të gjatë mes dy brigjeve të
Adriatikut, e cila gjen shprehje në shkëmbimin e përvojës prodhuese dhe në kërkimin e
partnerëve tregtarë. ITA– Italian Trade Agency, partner i këtij edicioni, ka kontribuar në
promovimin dhe pjesëmarrjen e kompanive italiane, me vëmendje të veçantë ndaj TIF
Power & Construction, ku pajisjet, teknologjitë dhe zgjidhjet inxhinierike u përgjigjen
nevojave të projekteve që zhvillohen në Shqipëri.
ManiFuture – Salloni i Designit dhe Objekteve të Arredimit, me mbështetjen e
Regione Puglia dhe Unioncamere Puglia, i kushtohet kulturës së projektimit dhe
manifakturës për banimin e mikpritjen; hapësira është konceptuar si një paraqitje e
përbashkët, në të cilën identiteti i secilës ndërmarrje mbetet i dallueshëm dhe produkti
mund të lexohet së bashku me mjeshtërinë, materialin dhe kulturën që e kanë krijuar.
Arredimi, smart-home, objektet e dizajnit u prezantohen arkitektëve, projektuesve,
distributorëve dhe operatorëve të hotelerisë nga Shqipëria e rajoni, duke e lidhur cilësinë e
prodhimit italian me kërkesën për hapësira të menduara me kujdes.
Janë mbi 70 sipërmarrje italiane nga rajone të ndryshme të Italisë, përfshirë Puglia,
Lazio, Campania, Veneto dhe Marche, do të marrin pjesë në Panairin, duke prezantuar
produktet, shërbimet dhe mundësitë e tyre për bashkëpunim në tregun shqiptar dhe atë
rajonal.
Fokusi nga Evropa Qendrore tek Ballkani Perendimor
TIF32 forcon lidhjet ekonomike mes Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor, duke
sjellë në Tiranë kompani me traditë të gjatë dhe ekspertizë të specializuar në sektorë të
ndryshëm. Për herë të parë në kryeqytetin shqiptar prezantohen sipërmarrje gjermane me
histori shekullore, ndër to edhe Gebrüder Weiss, me një traditë mbi 500-vjeçare, si dhe
kompani të specializuara në teknologjinë e ndërtimit, industrinë mekanike dhe sektorin e
ndërtimtarisë. Pjesëmarrja e tyre organizohet në bashkëpunim me VBW – Shoqatën për
Bashkëpunim Ekonomik Shqipëri–Bavari. Gjithashtu, përmes Advantage Austria,
kompanitë austriake prezantojnë zgjidhje dhe produkte në sektorë të ndryshëm, nga
materialet e ndërtimit te bujqësia.
Në krahun tjetër, Ballkani Perëndimor përfaqësohet nga pavijonet kombëtare të Malit
të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinës, si dhe nga një pjesëmarrje
kompanive nga Kosova. Në total, mbi 50 kompani nga rajoni do të kenë mundësinë të
prezantojnë ofertat e tyre, të krijojnë kontakte të reja dhe të zhvillojnë bashkëpunime
tregtare gjatë katër ditëve të Panairit.
Sipërmarrja Shqiptare i përgjigjet ndërkombëtarëve
Një peshë të veçantë në TIF32 zë sipërmarrja shqiptare, me kompani dhe grupe të
konsoliduara që janë sot ndër protagonistët e zhvillimit të Projekte rezidenciale, të
pasurive të paluajtshme, ndërtimit, infrastrukturës, energjisë dhe investimeve strategjike
në vend. Prania e tyre i jep Panairit një dimension të rëndësishëm ekonomik: këtu
prezantohen jo vetëm produkte dhe shërbime, por edhe projekte zhvillimore, kapacitete
investuese, zgjidhje inxhinierike dhe mundësi konkrete bashkëpunimi me partnerë
ndërkombëtarë.
Në këtë panoramë, një rol të rëndësishëm kanë edhe aktorët institucionalë të
investimeve, si Korporata e Investimeve Shqiptare – AIC, OSHEE, Autoriteti Portual
Durrës, të cilët kontribuojnë në zhvillimin e projekteve strategjike dhe mobilizimin e
kapitalit. Kështu, TIF32 vendos sipërmarrjen shqiptare në qendër të dialogut ekonomik
ndërkombëtar, duke e prezantuar Shqipërinë jo vetëm si një treg me potencial, por si një
vend ku projektet konceptohen, financohen dhe realizohen.
Marrin pjesë korporata si Gener2, Concord Group, Euroelektra, RedSol, Green Coast Hills, dhe
mbi 80 kompani të këtij sektori jetik për ekonominë e vendit.
Ministria e Bujqësisë dhe Salloni TIF Agro & Food
Në këtë edicion, TIF Agro & Food vendos në fokus ekonominë agro-ushqimore,
përafrimin me standardet evropiane dhe nxitjen e eksportit të produkteve shqiptare.
3
Salloni merr një dimension të veçantë përmes promovimit të gastronomisë, cooking
show-ve me 8 shefa kuzhine të vlerësuar dhe trajtimit të ushqimit si pjesë e kulturës dhe
mënyrës së jetesës. Me pjesëmarrjen e mbi 60 kompanive, agrobizneseve, shoqatave të
fermerëve dhe shoqatave italiane të kultivuesve, TIF Agro & Food sjell në vëmendje edhe
tema kyçe si certifikimi dhe gjurmueshmëria e produkteve bujqësore, standardizimi dhe
proceset e integrimit në tregjet evropiane. Ndër risitë e këtij edicioni janë Këndi i
Ekspertit, podcast-et mbi tematika të lidhura me bujqësinë dhe ushqimin, si dhe aktivitete
të dedikuara për promovimin e produkteve dhe krijimin e mundësive të reja të
bashkëpunimit.
TIF32 dhe brezi i ri
Përfshirja e Universiteteve si Polis, Universiteti Evropian i Tiranës, si dhe Albanian
Skills i jep Panairit një lidhje të drejtpërdrejtë me formimin profesional, pasi në konkurset
e aftësive studentët dhe të rinjtë kanë mundësi ta bëjnë të dukshme atë që dinë të
realizojnë, përpara profesionistëve dhe punëdhënësve që njohin vlerën e këtyre aftësive.
Takimi mes shkollës dhe sipërmarrjes krijon hapësirë për orientim dhe njohje të ndërsjellë,
ndërsa një punë e vlerësuar ose një kontakt i krijuar këtu mund të bëhet pikënisja e një
rruge profesionale.
Me Partners Albania dhe Challenge Fund, startupet dhe sipërmarrjet inovative
sjellin zgjidhje që mund të provohen përballë nevojave të tregut, duke takuar klientë të
mundshëm dhe kompani të konsoliduara. Në të njëjtën frymë, propozimet për “TIF për
studentët” parashikojnë hapësirë për prototipe dhe kërkime të aplikuara, si edhe kontakte
për mentorim, praktika të paguara dhe punësim në sipërmarrjet e pranishme në Panair.
Përgjegjësia sociale dhe lidhja me komunitetin
Klik Ekspo Group ka sensibilizuar kompanitë të kontribuojnë me mundësi pune e
praktikash të paguara, edukim financiar dhe mbështetje për hapësira studimi, duke i
dhënë angazhimit të tyre një përmbajtje të lidhur me nevojat e përfituesve.Në kuadër të
propozimit “TIF për komunitetin”, parashikohen gjithashtu hapësira falas për organizata
sociale, dhurime librash për një bibliotekë shkollore ose komunitare dhe ripërdorimi i
mobilieve, rafteve e pajisjeve funksionale pas Panairit. Këto veprimtari e përçojnë dobinë e
pjesëmarrjes përtej ditëve të ekspozimit, kur një libër, një pajisje ose një mundësi formimi
bëhet pjesë e jetës së dikujt tjetër. Kontributet dhe angazhimet do të ndiqen me partnerët
përkatës, duke dalluar atë që është realizuar nga mbështetja që mbetet në proces.
Takimet e biznesit dhe vijimësia e bashkëpunimit
Programi kryesor B2B, i parashikuar për datat 4–6 nëntor, organizohet në bazë të
profileve të kompanive dhe interesat e tyre të deklaruara, me takime individuale të
përgatitura paraprakisht, në Tiranë ose online (Platforma e Matchmaking e Klik Ekspo Group,
e kombinuar me platformat e AIDAs dhe Rrjetit EEN). Pesë drejtimet e tij përfshijnë arredimin
dhe furnizimet për projekte, sektorin agroushqimor, turizmin e mikpritjen, investitorët që
kërkojnë mundësi në pasuri të paluajtshme dhe zhvilluesit që kërkojnë kapital ose
partnerë strategjikë. Kështu, një interes i përgjithshëm për tregun mund të kthehet në një
bisedë me bashkëbiseduesin e duhur.
Hosted Buyers Program i kushton vëmendje përzgjedhjes së profesionistëve me rol
vendimmarrës dhe mandat konkret blerjeje ose bashkëpunimi, ndërsa takimet E2E
aktivizojnë marrëdhëniet mes vetë ekspozuesve. Një prodhues mund të njohë
distributorin që i hap një treg të ri; një operator turistik mund të gjejë furnizuesin e
nevojshëm vetëm pak hapa larg stendës. Takimet B2G e plotësojnë këtë shkëmbim me
informacion për projektet dhe mundësitë e mbështetjes institucionale.
Parashikohen rreth 5,000 takime B2B të konkretizuara gjatë ditëve të Panairit, me fokus
Shqipërinë dhe rajonin, duke lidhur blerës, ekspozues, importues, partnerë biznesi dhe
investitorë, me synim krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim dhe zhvillim
marrëdhëniesh tregtare. Përvoja e Klik Ekspo Group në njohjen e tregut, identifikimin e
partnerëve dhe koordinimin lokal i jep kësaj vijimësie një mbështetje praktike, ndërsa TIF
ruan rolin e tij si vendi ku shumë prej këtyre marrëdhënieve marrin fillim.
