Mbi 100 palë atlete që i kanë përkitur reperit Eminem do të ofrohen në një ankand të veçantë të organizuar nga Julien’s Auctions në mbështetje të Fondacionit Marshall Mathers.
Në koleksion përfshihen disa nga modelet më të rralla të krijuara gjatë bashkëpunimeve të artistit me markat më të njohura sportive. Të gjitha atletet janë të firmosura nga vetë Eminem, çka pritet t’ua rrisë ndjeshëm vlerën në tregun e koleksionistëve.
Një nga lotet më të shumëpritura është modeli Eminem x Nike Air Jordan 3 Slim Shady PE, i cili sipas vlerësimeve mund të shitet për një çmim nga 25 mijë deri në 35 mijë dollarë.
Interes të madh pritet të zgjojnë edhe modelet Eminem x Carhartt x Nike Air Jordan 4 dhe Eminem x Nike Air Jordan 4 Encore të vitit 2017, secili me një vlerë të parashikuar deri në 25 mijë dollarë.
Organizatorët bëjnë të ditur se koleksioni pasqyron mbi dy dekada bashkëpunimesh të Eminem me industrinë e atleteve dhe konsiderohet një mundësi unike për adhuruesit dhe koleksionistët që të sigurojnë disa nga krijimet më ekskluzive të lidhura me reperin.
Të gjitha të ardhurat e siguruara nga ankandi do t’i dhurohen Fondacionit Marshall Mathers, organizatë bamirëse e krijuar nga Eminem në vitin 2002, e cila mbështet fëmijët dhe të rinjtë në nevojë në Detroit dhe zonat përreth./mxh
