Komisioni Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat miratoi sot projektligjin “Për marrëveshjen e paqes fiskale”, një hap tjetër për modernizimin e administratës tatimore dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet tatimpaguesve dhe administratës tatimore në Shqipëri.
Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo propozoi që sektori i ndërtimit të mos futet në këtë marrëveshje, pasi sipas tij, është e pamundur të kontrollohet nga administrata tatimore.
Por zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiri theksoi se amendimi i propozuar nuk pranohet nga Ministria e Financave, pasi masa synon të formalizojë të gjithë ekonominë, për më tepër që ndërtimi ka qenë një ndër sektorët me ndikimin më të madh në ekonomi.
Ndërsa deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe propozoi që bizneset e evidentuara me nivel të lartë rreziku pastrimi parash të përfshihen në këtë marrëveshje vetëm pas dorëzimit të raportit të verifikimit të thelluar të burimit të pasurisë.
Ky projektligj i propozuar synon të krijojë një instrument të përkohshëm ligjor që lejon krijimin e një marrëveshjeje vullnetarizmi për pagimin e tatimit mbi të ardhurat e korporatave dhe bizneset, duke përcaktuar paracaktimin e fitimit të tatueshëm.
Projektligji “Për marrëveshjen e paqes fiskale” propozohet si një instrument i përkohshëm, me kohëzgjatje trevjeçare, i cili synon të krijojë një regjim të posaçëm e të paracaktuar të vlerësimit të fitimit të tatueshëm për tatimpaguesit, që përmbushin kritere të caktuara.
Gjithashtu, tatimpaguesve u jepet e drejta të zgjedhin të rideklarojnë pasqyrat financiare të 5 viteve të mëparshme, kundrejt pagesës së një tatimi, në masën 5%.
Ky instrument do të shërbejë për të siguruar një kuadër të dakordësuar paraprakisht për përmbushjen fiskale dhe për shmangien e mosmarrëveshjeve tatimore lidhur me tatimin mbi të ardhurat e korporatës apo të ardhurave biznesore.
Tatimpaguesit që mund të lidhin marrëveshje me administratën tatimore në kuadër të këtij projektligji janë të gjitha subjektet me të ardhura bruto mbi 14 milionë lekë, qofshin persona fizikë apo entitete dhe që nuk përfitojnë nga aplikimi i normave të reduktuara apo përjashtimet tatimore.
Këta tatimpagues, nëpërmjet një marrëveshjeje të veçantë me administratën tatimore, do të kenë mundësi të përcaktojnë paraprakisht bazën e tatueshme dhe detyrimin përkatës tatimor për një vit, me mundësi rinovimi deri në dy vite të tjera.
