Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, shprehet në një reagim në rrjetet sociale se institucionet arsimore po përdoren për të mbushur shkallët e stadiumit të koncertit që do organizohet në Tiranë me pjesëmarrjen e artistit Kanye West.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Boçi akuzon qeverinë se po shfrytëzon nxënësit dhe mësuesit për krijimin e një imazhi të rremë të një Shqipërie ‘të lumtur’, duke e cilësuar këtë praktikë si një tjetër rast të përdorimit politik të arsimit.
Sipas deputetit demokrat, përveç mbështetësve politikë dhe strukturave elektorale të mazhorancës, tashmë po përfshihen edhe nxënësit e shkollave.
Reagimi i plotë:
Nuk i mjaftojnë 4 milion eurot Ramës,për të shitur imazhin e një Shqipërie të lumtur e fanar ndriçues arkitektësh e parash droge buzë Adriatikut, me koncertin e Kanye West.
Duhen dhe njerëz për të mbushur koncertin.
Dhe për këtë mobilizimi ‘për inat të protestës’ është i madh.
Nuk mjaftojnë të dëshiruarit e as patronazhistët si shitës lumturie, por duhen dhe nxënësit.
Dhe pa një pa dy, Kumbaro bën kurban misionin e shkollës dhe edukimit.
Mesazhi që po qarkullon tregon se shkollave u kërkohet të përzgjedhin nxënës me rezultate të larta dhe të caktojnë mësues shoqërues, me premtimin e biletave falas për koncertin e Kanye West.
Duket si bamirësi.
Në fakt është nga ato dhuratat që kanë pak helm propagande brenda e shumë turp.
Detyra e Ministrisë së Arsimit është të përmirësojë cilësinë e arsimit, të mbështesë mësuesit e nxënësit dhe të investojë te shkollat, jo të organizojë audiencë për spektakle duke i shndërruar institucionet arsimore në zyra marketingu të qeverisë.
Nxënësit nuk janë statistikë për të mbushur stadiume e mësuesit nuk janë komisarë aktivitetesh.
Ky urdhër qartazi zyrtar është turp!
Ministria ka detyrimin të shpjegojë mbi ç’bazë ligjore angazhohen shkollat dhe personeli arsimor në një aktivitet që nuk ka lidhje me procesin mësimor.
Arsimi meriton respekt e jo të përdoret si dekor për një spektakël politik./mxh
