Last Updated on 13/06/2026 by EL
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës(ASHAK) dhe Universitetin “Ukshin Hoti”, kanë zhvilluar në Prizren Konferencën e X-të Mbarëkombëtare të Arkivistikës.
Në punimet e këtij edicioni morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Z. Auron Rrokaj, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe njëherësh përfaqësues i ASHAK-ut, Z. Bislim Bislimi, Zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, Znj. Nora Arapi, rektori i Universitetit “Ukshin Hoti”, Z. Mentor Alishani, ish-Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Z. Ardit Bido, ekspertë, arkivistë dhe studiues të arkivave nga mbarë trojet shqiptare.
Në ceremoninë hapëse, Rrokaj e vlerësoi konferencën si një mundësi për shpalosjen e dokumenteve arkivore nga kërkuesit shkencorë. “Përgëzoj paraardhësin tim në detyrë për këtë nismë dhe falenderoj përfaqësuesit e institucioneve bashkëpunëtore, si edhe kërkuesit shkencorë të pranishëm që e bëjnë të mundur këtë konferencë. Kjo konferencë është kurorëzim i punës së arkivistëve. Qëllimi i arkivit është vënia në dispozicion e dokumenteve për të nxitur kërkimin shkencor dhe zhvillimin e shkencave albanologjike. Janë kërkuesit shkencorë që e shpalosin pasurinë dokumentare përmes fakteve historike”, u shpreh Rrokaj.
Në fjalën e tij të rastit, Bislimi nënvizoi se konferenca është kontribut i drejtpërdrejtë në zhvillimin e arkivistikës. Ndërsa Arapi e përshëndeti konferencën, si një dëshmi e përkushtimit për të forcuar ndërveprimin akademik, institucional dhe kulturor.
Synimi i kësaj konference periodike është lëvrimi i arkivistikës, duke vendosur në fokus të kumtesave çështjet që mbulojnë zhvillimin e shërbimit arkivor, inteligjencën artificiale në arkiva, bashkëpunimin rajonal në fushën e arkivave etj. Në përfundim të punimeve të konferencës, pjesëmarrësit u vlerësuan me certifikata pjesëmarrjeje.
Ky bashkëpunim i përvitshëm kurorëzohet me botimin e revistës “Arkivat Shqiptare”, të vetmes në fushën e arkivave në mbarë trojet shqiptare./ET








