Bisedimet në Gjirin Persik janë në ngërç, ashtu si edhe vetë lufta, e cila nuk ka prodhuar një fitues të qartë. Sipas ekspertëve, as Irani dhe as Shtetet e Bashkuara nuk kanë arritur objektivat e tyre strategjikë.
Irani nuk ka arritur të dëbojë forcat amerikane nga rreth 20 baza ushtarake të shpërndara nga Iraku deri në Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat mbeten një rrjet i rëndësishëm kontrolli në rrugët energjetike të rajonit. Nga ana tjetër, SHBA-të nuk kanë arritur të sigurojnë dominim të plotë mbi këtë korridor strategjik, pasi infrastruktura e saj ushtarake është goditur vazhdimisht nga raketa, dronë dhe sulme detare të Gardës Revolucionare iraniane. Disa nga këto baza kanë pësuar dëmtime serioze dhe vazhdojnë të jenë nën kërcënim të vazhdueshëm.
Objektivat fillestare amerikane, si ndryshimi i regjimit në Teheran, çmontimi i arsenalit raketor iranian dhe dobësimi i milicive aleate shiite në rajon, nuk janë realizuar dhe konsiderohen gjithnjë e më pak të arritshme.
Analiza e situatës identifikon disa arsye kryesore pse SHBA-të konsiderohen se “nuk kanë fituar” këtë konflikt:
Së pari, eliminimi i Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei nuk solli destabilizim të regjimit, por përkundrazi e forcoi atë, duke rritur unitetin e brendshëm dhe duke hapur rrugën për konsolidimin e trashëgimisë politike brenda elitës së pushtetit.
Së dyti, vrasja e figurës së lartë politike Ali Larijani eliminoi një zë të moderuar dhe kontribuoi në forcimin e krahut më radikal të sistemit iranian.
Së treti, një konflikt i mëparshëm i quajtur “Lufta e dymbëdhjetë ditëve” në vitin 2025 eliminoi elementin e surprizës strategjike të SHBA-ve, duke i dhënë kohë Iranit të përgatitet për një përballje të zgjatur dhe të rrisë gatishmërinë për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.
Së katërti, strategjia amerikane e tipit “shock and aue”, e përdorur më parë në Irak kundër Sadam Huseinit, nuk funksionoi ndaj një shteti të strukturuar ndryshe dhe të përgatitur për luftë afatgjatë si Irani.
Së pesti, përdorimi i raketave dhe bombave të kushtueshme për shkatërrimin e infrastrukturës ushtarake iraniane ka çuar në shterimin e shpejtë të rezervave amerikane të municioneve precize, të cilat janë të vështira për t’u zëvendësuar në afat të shkurtër.
Së gjashti, mbrojtja ajrore amerikane dhe aleate është vënë nën presion të madh, duke konsumuar një pjesë të konsiderueshme të interceptorëve Patriot dhe THAAD, çka krijon një problem serioz për rifurnizimin e tyre në vitet në vijim.
Së shtati, sulmet ndaj infrastrukturës nëntokësore iraniane nuk kanë dhënë rezultat vendimtar, pasi shumë prej strukturave janë riparuar shpejt dhe aktiviteti raketor ka vazhduar me ritëm të qëndrueshëm.
Konflikti duket si një përplasje e zgjatur ku asnjë palë nuk ka arritur të imponojë dominim strategjik, duke e lënë rajonin në një gjendje tensioni të vazhdueshëm dhe të paqëndrueshëm./mxh
