Konferenca e Kryetarëve po zhvillon sot mbledhjen e radhës. Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla kundërshtoi kërkesat e paraqitura nga opozita, pasi sipas tij ato nuk përmbushin kriteret e parashikuara në Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutë.
Balla është shprehur se kërkesa e depozituar nuk mbështetet në nenin 98, ndërsa sugjeroi që opozita mund të përdorë nenin 101 për një mocion mosbesimi, por duke propozuar njëkohësisht edhe një kryeministër të ri.
“Kërkesa nuk përmbush kriteret e nenit 98. Mund ta bazoni në nenin 101 mocionin e mosbesimit. Duhet të propozoni edhe një Kryeministër të ri. E keni ju këtë?”, u shpreh ai.
Duke iu referuar protestës së qytetarëve, Balla akuzoi deputetët e opozitës se po deformojnë kërkesat e protestuesve dhe po flasin në emër të tyre pa pasur legjitimitet.
“Pse ia deformoni kërkesat protestuesve? Ju thoni pesë kërkesa, por vetëm njëra përputhet me ato që janë bërë publike. Rrëzimi i qeverisë, qeveri teknike, ligji për partitë politike e të tjera janë deformime të kërkesave të protestës”, tha Balla.
Ai shtoi se opozita nuk mund të konsiderohet përfaqësuese e protestuesve, duke vënë në dyshim edhe organizimin e protestës.
“Ne nuk ju njohim si përfaqësues të protestës. Ju nuk jeni koka e protestës. I kemi parë protestat tuaja dhe e dimë çfarë mund të bëni ju. Për pasojë, nuk ju pranojmë fare si përfaqësues të protestës”, deklaroi Balla.
Në fund, ai kujtoi edhe kufizimet procedurale për interpelancat parlamentare, duke theksuar se gjatë të njëjtit sesion parlamentar nuk mund të zhvillohen dy interpelanca për të njëjtën çështje.
“Ju e dini që neni 89, që rregullon interpelancat, nuk lejon zhvillimin e dy interpelancave për të njëjtën çështje brenda një sesioni parlamentar. Ju mund ta tërhiqni dhe ta riformuloni kërkesën”, përfundoi Balla/kb
