Përgatiti: Leonard Veizi
Zëri i historisë vjen shpesh si një pëshpëritje e zbehtë, por ka çaste kur ai shpërthen si një kushtrim i fuqishëm që ndryshon rrjedhën e një kombi. Dhe pikërisht një i tillë ishte ai në nëntorin e largët të vitit 1908. Shqipëria vazhdonte të ishte e shtypur, mbuluar nga hija e Perandorisë Osmane, ku vetë shpirti i saj, gjuha, ishte copëzuar dhe prangosur. Në errësirën e asaj kohe, kur ndarjet dukeshin të thella ndërsa pushteti i huaj i pathyeshëm, ndodhi një mrekulli e vërtetë, një akt sublim i dashurisë kombëtare…
…Në qytetin e Manastirit, zemra e kombit gjeti sërish rrahjen e saj të përbashkët. 160 delegatë – dijetarë, mësues, klerikë dhe patriotë nga çdo skaj i trojeve dhe mërgatave shqiptare – u mblodhën me një qëllim që asnjë pushtet s’kishte mundur ta pengonte: të bënin bashkë një gjuhë, një alfabet. Ajo sallë u bë një tempull i rilindjes. Aty, jo vetëm nga tryezat e bisedimeve, por nga zemrat e çdo pjesëmarrësi, u ndez flaka e bashkimit shpirtëror. Ishte Kongresi i Manastirit, Kongresi i Alfabetit, ku shqiptarët e të gjitha feve u bashkuan, duke i dhuruar vetes jo vetëm një gjuhë të shkruar, por edhe frymën e pandashme të një identiteti kulturor të përbashkët—një trashëgimi që do të ushqente lirinë e pritshme.
Lindja e Alfabetit të Shqipes
Nga 14 deri më 22 nëntor 1908, delegatët e ardhur nga çdo anë – nga Shqipëria, Rumania, Italia, Greqia, Turqia, Egjipti e deri në Amerikë – diskutuan për të përcaktuar alfabetin e njësuar të shqipes.
Deri atëherë gjuha jonë shkruhej me shumë alfabete: arabe, greke, sllave apo të përziera. Por mendimi që fitoi terren ishte i qartë: vetëm alfabeti latin mund të garantonte zhvillimin e letërsisë dhe bashkimin kombëtar.
Kryetar i Kongresit u zgjodh Gjergj Fishta, nënkryetar Grigor Cilka, dhe sekretare Parashqevi Qiriazi, mësuesja e përkushtuar e shkollës së vashave në Korçë. Në atë kuvend historik u ulën krah për krah myslimanë, katolikë, ortodoksë e protestantë – të gjithë të bashkuar nga dashuria për gjuhën amtare.
Kur Fishta mbajti fjalimin e tij të zjarrtë, një hoxhë nga Shkupi e përqafoi publikisht, duke simbolizuar vëllazërimin e shqiptarëve përtej besimeve.
Me votë unanime, delegatët hodhën poshtë “Alfabetin e Stambollit” dhe miratuan alfabetin latin me 36 shkronja, që përdoret deri sot. Ky akt nuk ishte thjesht gjuhësor – ishte një deklaratë kulturore e pavarësisë shqiptare.
Kundërshtitë dhe përndjekjet
Vendimi për alfabetin latin tronditi Stambollin dhe kishat greke. Pushteti osman dhe aleatët e tij panë në këtë akt një rrezik të hapur për sundimin e tyre.
Në Manastir u hap një shtypshkronjë që botonte gazeta, libra dhe abetare shqipe, por shumë shpejt ajo u bë shënjestër e persekutimeve. Fanatikët fetarë, të nxitur nga qeveria turke, nisën fushata kundër shkronjave latine dhe dogjën libra shqip nëpër qytete.
Atdhetarët e gjuhës
Në këtë betejë për dritë, qëndruan heroikisht mësuesit dhe klerikët shqiptarë.
Babë Dudë Karbunara lexonte ungjillin në shqip dhe u dogj shtëpia.
Atë Stathi Melani udhëtonte me pushkën në krah dhe librat në gji për të përhapur shkollën shqipe, derisa u vra mizorisht më 1917.
Petro Nini Luarasi përhapte arsimin shqip në Korçë, pavarësisht mallkimeve të kishës dhe ndalimeve turke.
Ata ishin priftërinj, mësues, fshatarë, por mbi të gjitha – roje të gjuhës.
Nga Manastiri në Elbasan
Një vit pas Kongresit të Alfabetit, më 1909, u mblodh Kongresi i Elbasanit, që themeloi Shkollën Normale për përgatitjen e mësuesve shqiptarë, me në krye Luigj Gurakuqin.
Kjo shkollë u bë vatra e parë e arsimit kombëtar, e cila përgatiti brezat që do ta udhëhiqnin Shqipërinë drejt Pavarësisë.
Një gjuhë – një komb
Vendimi i Manastirit ndezi shpirtin e shqiptarizmit në gjithë vendin. Brenda pak vitesh, dolën në dritë rreth 90 gazeta e revista shqipe, që përhapnin kulturën kombëtare. Por përballë këtij zgjimi, Xhonturqit reaguan me dhunë, duke ndaluar shkollat shqipe dhe imponuar përsëri shkronjat arabe.
Megjithatë, protestat në Elbasan, Berat, Shkodër, Korçë e gjetkë treguan se populli s’mund të kthehej më pas.
Në mars të vitit 1910, Kongresi i dytë i Manastirit riafirmoi përdorimin e alfabetit latin, duke e vulosur përfundimisht fatin e gjuhës shqipe.
Epilog
Kongresi i Manastirit nuk ishte thjesht një mbledhje gjuhëtarësh, por një akt themeltar i vetëdijes kombëtare shqiptare.
Në një kohë kur Shqipëria ende s’kishte shtet, delegatët e saj patën guximin të ndërtonin bazën shpirtërore të tij – gjuhën e përbashkët.
Në çdo shkronjë të alfabetit tonë latin, sot rreh zemra e atij nëntori të artë të vitit 1908.
