Last Updated on 23/11/2026 by EL
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, të hënën është takuar në Athinë me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, George Gerapetritis, të cilit ia ka përcjellë kërkesën për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Konjufca ka vlerësuar se njohja e Kosovës nga Greqia do të përbënte një hap të rëndësishëm për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, por edhe për fqinjësinë e mirë dhe stabilitetin në rajon.
“Njohja e Republikës së Kosovës nga Greqia do të ishte një hap me peshë për marrëdhëniet tona dhe për fqinjësinë e mirë në rajon. Këtë bindje e ndava me ministrin Gerapetritis, bashkë me ftesën që bisedën e radhës ta vazhdojmë në Kosovë”, ka shkruar Konjufca.
Ai ka veçuar edhe përkrahjen e Greqisë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke e cilësuar atë si një prej hapave konkretë që kanë ndikuar në avancimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
“E çmojmë këtë përkrahje dhe duam që bashkëpunimi mes Kosovës dhe Greqisë të marrë edhe më shumë hov përmes dialogut politik më të rregullt e lidhjeve më të forta ekonomike”.
Pse Greqia ende nuk e njeh Kosovën?
Greqia është njëra nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, krahas Spanjës, Rumanisë, Sllovakisë dhe Qipros.
Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, Greqia ka mbajtur një qëndrim të kujdesshëm ndaj statusit të Kosovës, duke mos e njohur atë formalisht, por duke zhvilluar njëkohësisht marrëdhënie politike dhe ekonomike me Kosovën.
Në qëndrimin e saj zyrtar, Ministria e Jashtme greke thekson se mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe integrimin evropian dhe euroatlantik të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Greqia gjithashtu ka mbështetur liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe merr pjesë në misionet ndërkombëtare në Kosovë, përfshirë KFOR-in dhe EULEX-in.
Megjithatë, Greqia vazhdon të mbajë qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës, duke e lidhur politikën e saj me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare.
Në analizat mbi mosnjohjen greke përmenden edhe marrëdhëniet tradicionale me Serbinë dhe solidariteti me Qipron, e cila gjithashtu nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Në qershor të këtij viti, Gerapetritis kishte deklaruar se qëndrimi i Greqisë ndaj statusit të Kosovës mbetet i pandryshuar. Pavarësisht mungesës së njohjes, Greqia mban Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë, ndërsa Kosova ka Zyrën e Interesave në Athinë, e cila nuk ka status diplomatik./et
