Sistemi i ri elektronik i hyrje-daljeve në Bashkimin Europian po shkakton radhë të gjata në disa prej aeroporteve më të mëdha të Europës, me kohën e pritjes në pikat e kontrollit kufitar që në periudhat e pikut është dyfishuar krahasuar me një vit më parë.
Sipas Financial Times, në aeroportet e Frankfurtit dhe Amsterdamit, pritja maksimale në kontrollin kufitar ka arritur në rreth 120 minuta, ose dy herë më shumë se një vit më parë. Probleme janë raportuar edhe në aeroportin e Mynihut, ndërsa sezoni i ngarkuar veror ka vënë nën presion sistemin e ri europian Entry/Exit System (EES).
EES u bë plotësisht funksional në prill të këtij viti dhe zëvendëson vulosjen tradicionale të pasaportave me regjistrimin elektronik të hyrjeve dhe daljeve të shtetasve të vendeve jashtë BE-së që udhëtojnë për qëndrime të shkurtra në zonën Schengen.
Në hyrjen e parë, udhëtarëve u regjistrohen të dhënat e pasaportës, fotografia e fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve. Kjo do të thotë se sistemi prek edhe shtetasit shqiptarë që udhëtojnë drejt vendeve Schengen, të cilët janë pjesë e kategorisë së udhëtarëve nga vendet e treta.
Problemi kryesor është koha shtesë që kërkon regjistrimi i të dhënave biometrike. Komisioni Europian thotë se një regjistrim zgjat mesatarisht rreth 70 sekonda, por në aeroportet me fluks të lartë, kombinimi i miliona udhëtarëve, problemeve teknike dhe kapaciteteve të kufizuara të pikave të kontrollit ka krijuar vonesa shumë më të mëdha.
Industria e aviacionit kishte paralajmëruar prej muajsh se sistemi mund të krijonte probleme gjatë verës. IATA, Airports Council International Europe dhe Airlines for Europe i kërkuan Komisionit Europian ndërhyrje urgjente, duke evidentuar mungesën e stafit në kontrollin kufitar, probleme teknologjike dhe përdorimin ende të kufizuar të aplikacioneve për regjistrim paraprak. Që në fazat e para të zbatimit, organizatat raportonin pritje deri në dy orë dhe paralajmëronin se në sezonin veror radhët mund të shkonin në katër orë ose më shumë.
Pasagjerë që humbasin fluturimet
Problemet nuk kufizohen vetëm te koha e pritjes. Gjatë muajve të fundit janë raportuar raste të pasagjerëve që kanë humbur lidhjet ajrore apo fluturimet për shkak të radhëve në kontrollet kufitare.
Në prill, menjëherë pas zbatimit të plotë të sistemit, disa aeroporte europiane raportuan pritje deri në tre orë. Në kulmin e sezonit, industria e aviacionit ka raportuar raste me pritje deri në pesë orë, ndërsa në disa aeroporte më të vogla pasagjerët janë detyruar të presin edhe jashtë terminaleve.
Shoqatat e kompanive ajrore kanë raportuar madje raste kur avionët kanë mbyllur imbarkimin me vende bosh, ndërsa pasagjerët ndodheshin ende të bllokuar në radhët e kontrollit kufitar. Situata është bërë më problematike gjatë korrikut dhe gushtit, kur aeroportet europiane pritet të përpunojnë rreth 40 milionë pasagjerë më shumë sesa gjatë dy muajve paraardhës.
BE nuk tërhiqet nga sistemi
Pavarësisht problemeve, Komisioni Europian nuk ka pranuar kërkesat për pezullimin e EES.
Autoritetet europiane argumentojnë se sistemi rrit sigurinë kufitare, krijon një regjistër të saktë të hyrjeve dhe daljeve dhe e bën më të lehtë identifikimin e personave që qëndrojnë në territorin Schengen përtej afatit të lejuar.
Sipas të dhënave të cituara nga Financial Times, sistemi kishte regjistruar tashmë më shumë se 160 milionë hyrje dhe dalje. Komisioni pranon se ekzistojnë pika problematike, por argumenton se pjesa më e madhe e pikave kufitare po funksionojnë normalisht.
BE ka lejuar ndërkohë njëfarë fleksibiliteti për aeroportet që përballen me mbingarkesë. Në kushte të jashtëzakonshme, autoritetet kombëtare mund të pezullojnë përkohësisht mbledhjen e disa të dhënave biometrike, pa hequr kontrollin kufitar.
Sipas Financial Times, tetë vende të BE-së dhe Zvicra kanë kërkuar që kjo mundësi të zgjatet përtej fillimit të shtatorit, ndërsa Komisioni Europian po zhvillon diskutime me shtetet anëtare./ad
