Një grup dypartiak anëtarësh të Kongresit Amerikan po ndërhyn në mbështetje të Ndërlidhësit të Detit të Madh (GSI), duke i bërë thirrje qeverisë amerikane që t’i japë përparësi projektit që synon të forcojë angazhimin e SHBA-së në Mesdheun Lindor.
Iniciativa udhëhiqet nga kongresmenët Brad Snyder, D-Ill., dhe Gus Bilirakis, R-Fla., të cilët, së bashku me katër kolegë të tyre, i kanë dërguar një letër Sekretarit të Shtetit Marco Rubio dhe kreut të Korporatës Financiare të Zhvillimit Ndërkombëtar të SHBA-së, Benjamin Black.
Ligjvënësit amerikanë po e paraqesin Ndërlidhësin e Detit të Madh jo vetëm si një projekt energjetik, por si një pjesë kritike të strategjisë më të gjerë për Korridorin Ekonomik Indi-Lindje e Mesme-Evropë (IMEC).
Ata i kanë kërkuar Rubios dhe Black një informim të klasifikuar mbi sfidat gjeopolitike me të cilat përballet përfundimi i projektit, duke i dhënë rëndësi të veçantë dimensionit të tij strategjik dhe gjeopolitik.
Në letrën e tyre, ligjvënësit theksojnë se zhvillimi dhe zgjerimi i suksesshëm i IMEC do të jetë i rëndësishëm për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit, si dhe për interesat kombëtare dhe sigurinë e Shteteve të Bashkuara.
Sipas tyre, Mesdheu Lindor do të luajë një rol jetësor si portë hyrëse për IMEC, ndërsa GSI konsiderohet një projekt strategjik infrastrukturor qendror për zhvillimin e këtij korridori.
Ligjvënësit argumentojnë se Mesdheu Lindor po shfaqet si një qendër kyçe e energjisë dhe infrastrukturës që lidh Evropën, Lindjen e Mesme dhe Indinë.
Sipas tyre, SHBA-ja ka një interes të qartë që ky proces të forcojë partnerët amerikanë, të diversifikojë rrugët e energjisë, të thellojë integrimin rajonal dhe të promovojë një alternativë transparente ndaj infrastrukturës së dominuar nga konkurrentët strategjikë.
Projekti GSI, synon të bashkojë partnerët kryesorë të SHBA-së përgjatë një korridori me rëndësi strategjike.
Sipas ligjvënësve, projekti do të ndihmojë në përfundimin e izolimit të Qipros nga sistemi evropian i transmetimit të energjisë elektrike, do të rrisë sigurinë e furnizimit me energji të Izraelit dhe do të krijojë një platformë për rrjedha të pastra, të besueshme dhe dypalëshe të energjisë elektrike midis Evropës dhe Mesdheut Lindor.
Ata theksojnë gjithashtu se GSI përparon objektivat e Aktit të Portës së Mesdheut Lindor, një iniciativë legjislative dypartiake që e njeh Mesdheun Lindor si një lidhje kritike midis Indisë, Lindjes së Mesme dhe Evropës.
Sipas tyre, kjo nismë do të rriste rëndësinë e rajonit në politikën e jashtme të SHBA-së, do të mbështeste projektet e infrastrukturës ndërkufitare dhe ndërlidhjet energjetike, si dhe do të rriste koordinimin strategjik me partnerë të tjerë në rajon.
Në përfundim të letrës, ligjvënësit amerikanë theksojnë se SHBA-ja ka një interes të hershëm në promovimin e stabilitetit, sigurisë dhe bashkëpunimit në Mesdheun Lindor.
Ata i bëjnë thirrje administratës amerikane që ta ketë prioritet projektin GSI dhe të kërkojë një informim të klasifikuar për të diskutuar sfidat gjeopolitike që lidhen me përfundimin e tij./ad
