Zbatimi i sistemit të ri elektronik të kontrollit kufitar të Bashkimit Evropian po sjell pasoja të dukshme për udhëtimet ajrore. Gjatë sezonit veror, numri i pasagjerëve që humbën fluturimet lidhëse në Evropë u dyfishua, ndërsa disa kompani ajrore raportuan rritje deri në gjashtë herë të rasteve të tilla.
Të dhënat u bënë publike nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA), e cila prej kohësh ka paralajmëruar se Sistemi i Hyrje-Daljeve të BE-së, EES, mund të shkaktojë vonesa të konsiderueshme në pikat kufitare.
Sistemi kërkon që shtetasit e vendeve jashtë BE-së, gjatë hyrjes dhe daljes, të regjistrohen në mënyrë elektronike dhe t’u merren të dhënat biometrike, përfshirë fotografinë dhe shenjat e gishtërinjve. Procedura e re ka shtuar kohën e kontrolleve, veçanërisht në periudhat me fluks të lartë udhëtarësh.
Sipas IATA-s, humbja e një fluturimi lidhës nuk është një fenomen i ri, por zbatimi i EES ka përkeqësuar situatën. Në disa raste, pasagjerët janë detyruar të presin për orë të tëra në radhë, duke mos arritur të kapin fluturimin e radhës.
Problemet janë lidhur jo vetëm me procedurat biometrike, por edhe me defekte teknologjike dhe mungesën e stafit në disa pika kufitare. Për të menaxhuar flukset e mëdha gjatë sezonit turistik, disa vende evropiane vendosën përkohësisht të lehtësonin kontrollet, duke regjistruar vetëm të dhënat personale të udhëtarëve dhe duke pezulluar marrjen e gjurmëve të gishtërinjve dhe fotografive.
Këto masa ndihmuan që skenarët më ekstremë, përfshirë pritjet deri në gjashtë orë të parashikuara më herët nga industria, të mos materializoheshin në shkallën e frikësuar. Megjithatë, disa aeroporte dhe pika kufitare vazhduan të përballeshin me vështirësi të konsiderueshme.
Ndër vendet dhe destinacionet më të prekura gjatë sezonit turistik ishin zona me flukse të mëdha udhëtarësh, përfshirë Korfuzin dhe Tenerifen. Autoritetet evropiane presin që presioni të ulet me përfundimin e sezonit veror, por heqja e masave lehtësuese mund të rikthejë problemet.
Në korrik, nëntë vende të BE-së, mes tyre Gjermania, Franca dhe Italia, i kërkuan Komisionit Evropian shtyrjen e zbatimit të plotë të ndryshimeve. Sipas industrisë së aviacionit, rikthimi i kontrolleve biometrike pa fleksibilitetet e përdorura gjatë verës mund të rrisë rrezikun e mbipopullimit dhe vonesave në aeroporte.
Komisioni Evropian, nga ana tjetër, vlerëson se sistemi në përgjithësi ka funksionuar mirë dhe se fleksibiliteti i parashikuar në zbatim ka ndihmuar në përballimin e flukseve të larta. Institucioni u ka kërkuar shteteve anëtare të intensifikojnë përgatitjet teknike, organizative dhe të komunikimit, me synimin që problemet e mbetura të zgjidhen deri në fund të vitit.
Pavarësisht vështirësive, Brukseli nënvizon edhe përfitimet e EES. Sistemi ka regjistruar deri tani rreth 180 milionë hyrje dhe dalje dhe ka refuzuar rreth 60 mijë hyrje, përfshirë më shumë se 1,700 persona të konsideruar si kërcënim për sigurinë.
Për Komisionin Evropian, sfida kryesore tashmë është që sistemi të funksionojë në mënyrë të njëtrajtshme në të gjitha vendet anëtare, pa krijuar pengesa të reja për miliona udhëtarë që kalojnë kufijtë e Evropës çdo sezon.
Financial Times/-ad
