Nga Ylli Manjani
Përtej debatit nëse kryeministri kishte apo jo të drejtë të ndërhyjë për të shpallur shpronësimin e dy “sherrxhinjve” të Orikumit, ka një pyetje shumë më të rëndësishme se vetë rasti: a mund të zhvishet prona private nga mbrojtja e saj, në një shoqëri që pretendon se është ndërtuar mbi ekonominë e tregut?
Po lë mënjnanë edhe argumentin e përdorjes së taksave për shpronësime kuturu. Po e lë jo se nuk vlen, por kam idenë se për taksat dhe harxhimin e parave që vijnë nga to, kultura kolektive nuk është aq imponuese.
Dua të merrem me thelbin e principit të shenjtërisë së pronës.
Në Shqipëri kemi krijuar zakonin e rrezikshëm që çdo problem ta zgjidhim me ekskavator, me VKM ose me një deklaratë politike. Por prona private nuk është një pengesë administrative që hiqet kur bezdis qeverinë. Ajo është themeli mbi të cilin ngrihet i gjithë sistemi ekonomik dhe juridik i një shteti liberal.
Shoqëria e tregut nuk ekziston pa pronën private. Kapitalizmi nuk fillon te biznesmeni, as te investitori, as te banka. Fillon te garancia se ajo që është e jotja nuk mund të merret sepse pushteti e konsideron të përshtatshme. Pikërisht kjo garanci krijon investim, zhvillim dhe besim.
Prandaj është paradoksale të dëgjosh argumentin se “interesi publik” kërkon të sakrifikohet prona private. Në të vërtetë, në një ekonomi tregu, mbrojtja e pronës private është vetë interesi publik më i madh. Sepse kur prona nuk është e sigurt, askush nuk investon, askush nuk ndërton dhe askush nuk beson se nesër do të gëzojë frytet e punës së tij.
Sigurisht që shteti ka të drejtë të shpronësojë. Kjo është e njohur në çdo kushtetutë demokratike. Por shpronësimi është përjashtim, jo rregull. Ai lejohet vetëm kur ekziston një interes publik real, i përcaktuar me ligj, me procedurë të rregullt dhe me dëmshpërblim të drejtë. Shpronësim bëhet kur do ndërtohet një rrugë, shkollë apo spital që na intereson të gjithëve, dhe jo për të bërë ullishtë! Aq më pak ka kuptim interesi publik kur shpronësimi bëhet si ndëshkim për pronarët sherrxhinj! Nuk është një instrument ndëshkimi moral ndaj dikujt që sillet keq, as një mjet për të dhënë shembull publik.
Po kur zihen burrat me gratë e tyre duhet t’u marrim pronat?!
E ça fiton publiku këtu?!
Në momentin që shpronësimi përdoret si përgjigje ndaj sjelljes së pronarit, ai pushon së qeni institut juridik dhe bëhet sanksion politik. Sot mund të jenë dy sherrxhinj në Orikum. Nesër mund të jetë një biznesmen që kundërshton qeverinë. Pasnesër një qytetar që refuzon një projekt. Precedenti është shumë më i rrezikshëm se personazhet.
Kushtetuta nuk mbron njerëzit e mirë. Ajo mbron edhe njerëzit e këqij. Të drejtat kushtetuese nuk maten me karakterin e pronarit, por me kufijtë e pushtetit të shtetit.
Shumëkush mund të mos ketë asnjë simpati për protagonistët e Orikumit. Mund të kenë gabuar, mund të kenë qenë agresivë, madje mund të përgjigjen penalisht nëse kanë shkelur ligjin. Por dënimi penal dhe shpronësimi janë dy gjëra krejt të ndryshme. Njëri ndëshkon sjelljen. Tjetri prek një të drejtë themelore.
Historia e shteteve moderne ka treguar se prona private nuk është thjesht një e drejtë ekonomike. Ajo është kufiri që ndan qytetarin nga pushteti. Sa herë ai kufi dobësohet në emër të një interesi të momentit, dobësohet edhe liria.
Prandaj pyetja nuk është nëse Rama kishte të drejtë me dy sherrxhinjtë e Orikumit. Pyetja është nëse Shqipëria do të mbetet një shtet ku prona merret vetëm sipas ligjit, apo një vend ku prona mund të merret sipas humorit të pushtetit.
Në një shoqëri të tregut, prona private nuk është pengesë për interesin publik. Fjala vjen, shteti disi e orienton apo detyron pronarit ta bëjën pronën e tij ullishtë. Dhr ullishtja private është e sigurtë që do jetë më e mirë se ajo e shtetit.
Prona private është pa dyshim më e mira për zhvillim. Ajo është interesi publik më i lartë. Sepse aty ku mbaron siguria e pronës, fillon pasiguria e lirisë.
