Duket se ngjashmëria mes Cillian Murphy dhe djalit të tij, Aran, nuk është thjesht një çështje tiparesh fizike. 19-vjeçari ka tërhequr vëmendjen e rrjeteve sociale pas shfaqjes së tij në tapetin e kuq në Londër, ku mori pjesë në premierën e serialit të ri të HBO, “Youth”.
Aran, i cili po ndjek hapat e të atit në botën e aktrimit, u shfaq në event për të promovuar serialin ku interpreton një prej roleve kryesore. Por në vend që vëmendja të përqendrohej vetëm te projekti i ri, fotot dhe videot e tij nisën të qarkullojnë me shpejtësi në rrjet, për shkak të ngjashmërisë së jashtëzakonshme me yllin e “Oppenheimer” dhe “Peaky Blinders”.
Komentet e fansave ishin thuajse unanime. “Copy-paste”, “Është binjaku i tij”, “Nuk ka nevojë për test ADN-je” dhe “Është Cillian Murphy, thjesht më i ri” ishin disa nga reagimet që morën vëmendje në rrjet.
Por ajo që i ka habitur edhe më shumë fansat është fakti se Aran nuk ngjan me të atin vetëm në pamje. Në intervistat e dhëna gjatë promovimit të “Youth”, shumë prej tyre kanë vënë re të njëjtën mënyrë të të folurit, gjestet, tonin e zërit dhe gjuhën e trupit që karakterizojnë aktorin e njohur irlandez.
Një komentues shkroi se nuk kishte parë kurrë dikë që ta kuptonte kaq shpejt lidhjen familjare, ndërsa një tjetër e përshkroi Aranin me humor si “Cillian Murphy, por shumë i hidratuar”. Një tjetër vuri në dukje se mimika, gjestet dhe mënyra e të shprehurit të 19-vjeçarit janë pothuajse identike me ato të babait të tij.
Aran Murphy nuk është një emër i ri në aktrim. Ai ka shfaqur interes për këtë profesion që në moshë të vogël, ndërsa në moshën 11-vjeçare interpretoi në një produksion skenik të “Hamnet”. Debutimin në film e bëri në vitin 2022 me “Lola”, ndërsa më pas u përfshi në kastin e “Klara and the Sun”, adaptimi i filmit me regji të Taika Waititi, ku luan krah Amy Adams dhe Jenna Ortega.
Ai është gjithashtu pjesë e kastit të “WAR”, një produksion i HBO dhe Sky Television ku interpretojnë edhe Sienna Miller dhe Dominic West.
Me “Youth”, Aran po merr një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e tij. Në serialin me tetë episode, ai interpreton Ruari, djalin e rritur të personazhit të luajtur nga Sharon Horgan.
Ndërkohë, pavarësisht famës së babait, Cillian Murphy dhe bashkëshortja e tij Yvonne McGuinness janë përpjekur t’u ofrojnë dy djemve, Aran dhe Malachy, një jetë sa më normale larg vëmendjes mediatike. Familja jetoi për vite në Londër, përpara se të zhvendosej në Dublin në vitin 2015, pranë rrënjëve dhe familjes së Cillian.
Në një intervistë për “Rolling Stone UK” në vitin 2023, Cillian ka folur me shumë dashuri për djemtë e tij, duke i përshkruar si “djem shumë të mirë” dhe duke treguar se në familje kanë shumë humor./MXH
