Last Updated on 04/03/2026 by Anisa
Afati që deputetët të zgjedhin kreun e ri të shtetit po skadon së shpejti, dhe, nëse nuk arrijnë kompromis për një emër – ose nuk i japin Vjosa Osmanit një mandat të dytë – vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja.
Prej javësh, Vjosa Osmani ka qenë shumë aktive në rrjetet sociale. Zor se kalon një ditë pa publikuar një përmbledhje videosh të aktiviteteve të saj si Presidente e Kosovës, brenda apo jashtë vendit.
Mandati i saj pesëvjeçar përfundon më 5 prill dhe Kushtetuta e Kosovës kërkon që një President i ri – ose një mandat i dytë për Osmanin – të vendoset të paktën 30 ditë përpara përfundimit të mandatit të presidentit aktual.
Data 5 mars është dita e fundit kur Kuvendi mund të mblidhet për të votuar një President të ri, por ndërsa ora po ecën, asnjë emër i ri nuk është konfirmuar, megjithëse shumë janë përfolur që kur çështja e Presidentit u bë tema kryesore në agjendën politike.
Dështimi për të zgjedhur një President do të çonte në zgjedhje të reja të parakohshme, gjë që do të ishte një barrë e madhe për një vend që mbajti dy zgjedhje parlamentare në vitin 2025, më e fundit vetëm nëntë javë më parë.
“Ditët në vijim do të jenë vendimtare për të parë nëse qëllimi i partive politike është të shkojnë në zgjedhje të reja apo të gjejnë një figurë konsensuale dhe më pas t’i japin Kosovës një President të ri”, tha Vullnet Bugaqku, studiues i lartë në Institutin Demokratik i Kosovës, për BIRN.
Sipas dispozitave kushtetuese, Presidenti zgjidhet nga Kuvendi në tre raunde të mundshme votimi. Dy raundet e para kërkojnë mbështetjen e dy të tretave të të gjithë deputetëve, ose 80 vota gjithsej. Raundi i tretë kërkon vetëm një shumicë të thjeshtë prej 61 votash. Nëse Kuvendi dështon të zgjedhë Presidentin, duhet të thirren zgjedhje të përgjithshme të parakohshme brenda 45 ditësh.
Megjithatë, një vendim i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2014 e ka bërë procesin më të ndërlikuar, duke përcaktuar se të paktën 80 deputetë duhet të jenë të pranishëm në sallë kur zhvillohet çdo votim – duke u dhënë potencialisht partive opozitare mundësinë për ta bllokuar zgjedhjen.
Për t’i shtuar edhe më tej komplikimet, i njëjti vendim i Gjykatës Kushtetuese theksoi se për çdo votim të vlefshëm duhet të jenë në fletëvotim dy ose më shumë kandidatë, një normë që ka shtyrë grupet politike që propozojnë një kandidaturë të “shpiknin” një kandidat të dytë vetëm për të plotësuar kushtin formal.
A e ka humbur Osmani përkrahjen e Kurtit?

Në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, partia e kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, fitoi 57 nga 120 vendet në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) doli e dyta me 23 mandate, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me gjashtë.
Më 12 shkurt, një ditë pasi u rizgjodh kryeministër, Kurti la të kuptohej se do të kishte diskutime me liderë të tjerë politikë për të shmangur një krizë të mundshme politike lidhur me zgjedhjen e kreut të shtetit.
Ndërsa Vjosa Osmani ka shprehur ambicien për të kandiduar për një mandat tjetër pesëvjeçar, Kurti nuk ka dhënë asnjë sinjal se e favorizon atë. Por çdo kandidat duhet fillimisht të mbledhë nënshkrimet e të paktën 30 deputetëve, që do të thotë se Osmani duhet të kërkojë mbështetje nga grupi parlamentar i Vetëvendosjes, nëse dëshiron të kandidojë sërish.
Të gjitha partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvend kanë më pak se 30 mandate, çka do të thotë se do të duhet të bashkojnë forcat për të mbledhur mjaftueshëm nënshkrime për cilindo kandidat.
Për t’ia shtuar ankthin Osmanit, të dielën Kurti shmangu përmendjen e emrit të saj kur mblodhi Këshillin e Përgjithshëm të partisë së tij dhe i kushtoi një pjesë të madhe të fjalimit zgjedhjes së Presidentit të ri.
Fjalimi sugjeroi se zemra e Kurtit është diku tjetër, ndryshe nga viti 2021, kur ai dhe Osmani kandiduan në të njëjtën listë zgjedhore dhe ai bëri fushatë për të si Presidente.
Këtë herë, Kurti duket se është i prirur të mbështesë Murat Jasharin, anëtar i familjes Jashari, 58 pjesëtarë të së cilës u vranë nga forcat serbe në mars 1998 – një moment që shënoi përshkallëzimin e luftës në Kosovë.
“Një figurë e padiskutueshme do të ishte sigurisht një kandidat nga familja emblematike Jashari. Bindja ime ka qenë dhe mbetet se një figurë si profesori Murat Jashari do të gëzonte mbështetje të gjerë nga partitë politike”, tha Kurti.
Megjithatë, Jashari, profesor në Universitetin e Prishtinës, javën e kaluar deklaroi se nuk dëshironte të ishte mes kandidatëve.
“Për mua personalisht … është një barrë e rëndë mbi supe. Nuk kam të drejtë morale dhe profesionale ta përziej emrin e familjes Jashari në kalkulime politike apo ta përdor për poste politike”, tha Jashari për portalin Vox Kosova më 25 shkurt.
Dy ditë pasi Jashari refuzoi të merrej në konsideratë si kandidat, Bedri Hamza, lider i PDK-së opozitare, tha se partia e tij ishte ende e gatshme ta mbështeste Jasharin për postin.
Afati po mbaron me shpejtësi

Ndërsa afati po afron drejt fundit, Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit dhe zyrtare e lartë e Lëvizjes Vetëvendosje, të hënën hodhi poshtë kërkesën e PDK-së për të mbështetur një kandidaturë nga radhët e tyre.
“Tani nuk është koha për kërkesa të parealizueshme dhe përplasje që e shpërqendrojnë procesin nga thelbi”, tha Haxhiu.
Pak orë më vonë, teksa hynte në një takim me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, Albin Kurti deklaroi me nxitim se përpjekjet për të gjetur një zgjidhje ishin ende në vazhdim.
“Na duhet një kandidat që mund të sigurojë praninë e 80 deputetëve në sallë… Gjithçka do të dihet brenda pak ditësh”, tha Kurti.
Kur takimi përfundoi, Abdixhiku njoftoi se nuk ishte gjetur asnjë pikë e përbashkët – dhe bëri sërish thirrje për konsensus mes partive politike.
“Konsensusi është mënyra për të zgjedhur një President, dhe LDK-ja është e angazhuar në gjetjen e një emri konsensual që nuk është zgjatim i qeverisë”, tha Abdixhiku.
Megjithëse u tregua i rezervuar, Abdixhiku nuk e përjashtoi mundësinë e mbështetjes së Vjosa Osmanit për një mandat tjetër, nëse kandidatura e saj do të mbështetej nga Vetëvendosja.
“Nuk kemi asnjë qëndrim për emra specifikë. Asnjëherë nuk kemi thënë nëse e mbështesim Osmanin apo jo… në këtë fazë, nuk kemi qasje refuzuese ndaj askujt, e aq më pak ndaj Osmanit”, sqaroi Abdixhiku.
Vullnet Bugaqku, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se zgjedhjet e reja të parakohshme ende mund të shmangen, pasi konsultimet politike kanë nisur dhe politikanët “kanë shprehur gatishmërinë për të gjetur kompromis, edhe pse është pak herët për të nxjerrë përfundime”.
“Kemi kohë deri më 4 mars që procedura për zgjedhjen e Presidentit të përfundojë në Parlament”, theksoi Bugaqku.
“Megjithatë, Kushtetuta nuk është e qartë se çfarë ndodh nëse procedura në Parlament nuk nis fare”, pranoi ai.
Lulzim Peci, drejtor i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave, një tjetër institut hulumtues, tha se nëse Kurti refuzon t’i japë Osmanit një mandat të dytë, ai mund të përballet me probleme në të ardhmen.
“Nëse Kurti nuk e propozon Osmanin, mendoj se ajo do të bëhet armikja e tij më e madhe politike”, tha Peci për TV21 në Prishtinë.
Por, shtoi Peci, zgjedhja e Presidentit nuk ka të bëjë vetëm me gjetjen e një figure konsensuale për të mbushur postin që së shpejti do të mbetet vakant. Ai person duhet të jetë në gjendje të kryejë mirë detyrën si kreu i shtetit.
“Personi i propozuar për President duhet të ketë kualifikime profesionale”, tha ai. “Posti i Presidentit nuk është shaka.”/reporter.al
