Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) ka lejuar vijimin e tenderit me vlerë 2,64 milionë euro për shërbimin e lavanderisë dhe hotelerisë në Qendrën Spitalore Rajonale “Shefqet Ndroqi”, pas përfundimit të procesit të shqyrtimit të ankesave dhe rivlerësimit të operatorëve ekonomikë pjesëmarrës.
Sipas vendimit të datës 9 tetor 2026, KPP ka konstatuar se Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka zbatuar kërkesat e vendimit të mëparshëm të Komisionit, duke i hapur rrugë vazhdimit të procedurës së prokurimit.
Procedura e prokurimit, e zhvilluar më 17 korrik 2026, ishte bërë objekt ankesash nga dy operatorë ekonomikë, të cilët kishin kundërshtuar vlerësimin e kryer nga autoriteti kontraktor. Në vendimin e datës 1 shtator, KPP kishte pranuar njërën prej ankesave dhe kishte refuzuar tjetrën, duke urdhëruar rivlerësimin e procedurës dhe kualifikimin e operatorit ekonomik, ankesa e të cilit ishte pranuar.
Autoritetit kontraktor i ishte kërkuar gjithashtu të dokumentonte veprimet e ndërmarra për zbatimin e vendimit dhe të informonte Komisionin mbi rezultatet e rivlerësimit. Nga parashtrimet e bëra në vendimin e KPP rezulton se më 5 tetor, Operatori i Blerjeve të Përqendruara njoftoi se kishte zbatuar vendimin, duke dorëzuar edhe procesverbalin përkatës të rivlerësimit të ofertuesve. Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe verifikimit në Sistemin e Prokurimeve Elektronike, Komisioni konfirmoi se autoriteti kontraktor kishte përmbushur detyrimet e përcaktuara në vendimin e mëparshëm.
Në këto kushte, KPP vendosi lejimin e autoritetit që të vijoje me hapat e mëtejshëme të procedurës së prokurimit, duke përfunduar fazën e shqyrtimit të zbatimit të vendimit të tij të mëparshëm. Kohëzgjatja e kontrates sipas të dhënave të bëra publike më herët gjatë shpalljes së procedurës se prokurimit është 48 muaj nga nenshkrimi i kontrates./ad
