Last Updated on 04/11/2026 by Monika
Kryetarja e Gjykatës së Partisë Demokratike, Adriana Kalaja ka folur për betejën që PD-ja po zhvillon për Parkun Rinia dhe për luftën në tërësi kundër betonizimit të TIranës.
Kalaja është shprehur se ajo së bashku me Jamarbër Malltezin, Dorjan Telitin, Erges Eskiun e shumë përfaqësues të tjerë kanë ndërmarrë një nismë për zhvillimin e një referendum vendor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar formularët për mbledhjen e nënshkrimeve.
Ajo thekson se beteja e nisur nuk është një betejë personale e PD-së, por një luftë për të gjithë qytetarët e Tiranës. Siaps saj bashkimi opozitar do të provohet në terren, në përballje me pushtetin e mazhorancës.
Nisma e thirrur nga Kalaja e përfaqësuesit e tjerë të PD-së është një provë konkrete sesa e aftë është realisht opozita shqiptare për t’u bashkuar për një kauzë më të madhe, në dobi të kryeqytetit shqiptar, që po përballet me ndërtime kudo e betonizime pa kurrfarë kriteri.
Njoftimi i Adriana Kalajasë në rrjetet sociale:
“DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE
Partia Demokratike ka hedhur një hap konkret në mbrojtje të Parkut Rinia dhe kundër betonizimit të mëtejshëm të Tiranës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar formularët për mbledhjen e nënshkrimeve për zhvillimin e referendumit vendor, pas nismës së ndërmarrë nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike, Adriana Kalaja, Jamarbër Malltezi, Dorjan Teliti dhe Erges Eskiu etj.
Ky është një hap i rëndësishëm në betejën për t’ua kthyer qytetarëve të Tiranës të drejtën për të vendosur mbi qytetin e tyre.
Prej vitesh, kryeqyteti po i nënshtrohet një modeli zhvillimi ku betoni fiton mbi gjelbërimin, kullat mbi hapësirat publike dhe interesat e një pakice mbi nevojat e qindra mijëra qytetarëve.
Tirana po mbytet nga trafiku, ndotja, çmimet e papërballueshme të banesave dhe mungesa e hapësirave të gjelbra. Por përgjigjja e Edi Ramës është gjithmonë e njëjta: një kullë tjetër.
Partia Demokratike i thotë NDAL këtij modeli.
Ne besojmë se për fatin e Parkut Rinia duhet të vendosin qytetarët e Tiranës, jo një njeri i vetëm, sado pushtet të ketë grumbulluar.
Dhe këtë betejë nuk po e bëjmë vetëm me deklarata, statuse në Instagram apo spektakle mediatike.
Partia Demokratike po vepron. Me një nismë konkrete, me një procedurë ligjore dhe me një instrument të drejtpërdrejtë të demokracisë: referendumin.
Sot u drejtohemi të gjithë qytetarëve të Tiranës, shoqërisë civile, aktivistëve, organizatave qytetare dhe çdo force politike që kundërshton betonizimin e kryeqytetit:
Bashkohuni me ne për mbledhjen e firmave!
Kjo nuk është një betejë për flamurin e Partisë Demokratike. Është një betejë për qytetin tonë, për fëmijët tanë dhe për të drejtën e qytetarëve që të mos trajtohen si spektatorë të vendimeve që u ndryshojnë jetën.
Partia Demokratike është e gatshme të bashkëpunojë me çdo faktor opozitar, pa përjashtim, për të mbledhur sa më shpejt nënshkrimet e nevojshme dhe për t’i hapur rrugën referendumit.
Kjo nismë është njëkohësisht një mundësi për të provuar në praktikë bashkëpunimin opozitar përpara zgjedhjeve vendore.
Sepse bashkimi i opozitës nuk mund të mbetet një slogan që përsëritet në studio televizive, në konferenca shtypi apo në rrjetet sociale.
Bashkimi provohet në terren, në përballje me pushtetin, në mbrojtje të interesit publik.
Kjo është prova e parë konkretee gatishmërisë për të vendosur interesin qytetar mbi egot politike, llogaritë e vogla dhe protagonizmin personal.
Ne nuk kemi nevojë për një opozitë që konkurron se kush bën postimin më të bukur kundër Edi Ramës. Kemi nevojë për një opozitë që bashkon forcat për t’i ndalur vendimet e tij.
Nuk kemi nevojë për opozitarizëm fasade, por për aksion qytetar.”/mxh
