Last Updated on 04/11/2026 by EL
Një tjetër ngjarje e rëndë raportohet se ka ndodhur para dy ditësh në Dibër, ku raportohet se vajza ka tentuar t’i marrë jetën babait të saj, pasi mësohet se e ka lyer me benzinë dhe i ka vënë flakën. Për rrjedhojë, babai ka pësuar djegie të shumta në trup,. E prej ditësh po merr mjekimin në Tiranë, ku është vendosur nën kujdesin e mjekëve.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në familjen Mara, ku bëhet me dije se vajza 43-vjeçare Majlinda Mara ka lyer me benzinë babain e saj, 89-vjeçari Adem Mara, e më pas i ka vënë flakën.
Sakaq, bëhet me dije se rasti është raportuar në policinë e Burrelit nga komshinjtë të cilët i kanë dhënë ndihmën e parë të moshuarit. Për këtë ngjarje të rëndë policia kriminale e Burrelit ka nisur hetimet dhe bëhet me dije se është ndaluar 43-vjeçarja.
Deri në këtë fazë, rrethanat e ngjarjes vijojnë të jenë të paqarta, ndërsa bëhet me dije se Majlinda Mara akuzohet për veprën penale “Vrasje për shkaqe të marrëdhënies familjare” të mbetur në tentativë.
Aktualisht hetimet janë duke u ndjekur nga prokuroria e Dibrës, ku pritet që në ditët në vijim Majlinda Mara të dalë para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë “Arrest në burg” që do kërkojë prokurori.
Ngjarja e familjes Mara, raportohet të ketë ndodhur vetëm një ditë më parë ngjarjes në familje Fiku në Bulqizë të Dibrës. Siç kemi raportuar dhe ne pasditen e kësaj të mërkure, Sadete dhe Gazmir Fiku akuzohen për veprat penale, “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, kryer në bashkëpunim, pasi janë të dyshuarit kryesorë për vrasjen e kryefamiljarit të tyre, Urim Fikut./et
