Last Updated on 23/07/2025 by adminfjala
Pas më shumë se dy muajsh nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kreu i KQZ Ilirjan Celibashi do të shpëndajë sot mandatet për subjektet politike dhe do të caktojë kandidatët fitues për qarkun e Tiranës. Mbledhja do të nisë në orën 10:30.
Zgjatja e kohës së çertifikimit të zgjedhjeve erdhi për shkak të procesit të rinumërimit, inicuar nga Partia Demokratike me pretendimin për manipulime të zgjedhjeve, por që nuk prodhoi asnjë ndryshim në rezultat.
KQZ pritet të shprehet edhe për çështjen se kush do të marrë mandatin e vetëm të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, pas përplasjeve mes dy drejtuesve kryesorë të tij, Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani.
Sipas marrëveshjes së arritur mes dy partive përbërëse të koalicionit, kandidatët e listës së mbyllur ishin familjarë të drejtuesve që do të jepnin dorëheqje nga mandati për t’u hapur rrugë kandidatëve fitues të listës së hapur, ku fitues do të shpallej kandidati me më shumë vota preferenciale.
Kandidati i listës së hapur që ka marrë numrin më të madh të votave është Adriatik Lapaj. Por, daja i Endri Shabanit, Zeqir Kordhoni, i cili ishte në listën e mbyllur i kërkoi KQZ-së që të merrte mandatin. Shabani dhe Kordhoni pretendojnë se ky veprim është pasojë e premtimit të pambajtur të Lapajt, se nuk do të mbante mandatin nëse koalicioni fitonte vetëm një vend në Kuvend.
Një ditë më parë, në një konferencë për mediat, Lapaj deklaroi dorëheqjen nga mandati i deputetit dhe ftoi që edhe Shabani të bëjë të njëjtën gjë, duke kërkuar që ta marrë gruaja më e votuar e listës së hapur, Greta Ambeli. /E.T