Ndërsa ai dirigjon simfoninë e duartrokitjeve për marrëveshjen e tij të paqes, çelësi për ta kuptuar është ky: ai nuk është politikan — as afër — ai është një yll.
Nga Marina Hyde*
Ajo shprehje e vjetër se “politika është shoubiz për njerëzit e shëmtuar” është aq e mirë sa duhet të ishte e vërtetë — por nuk është. Politika ka qenë gjithmonë politikë, dhe shoubizi diçka tjetër. Përjashtim bën vetëm rasti unik i Donald Trump-it. Presidenti aktual i SHBA-së kuptohet më mirë si një superyll i epokës së pompozitetit. Është e pabesueshme, në fakt, që Trump nuk pati kurrë nevojë të futej në kokainë. Mendoj se kur të vdesë, shkencëtarët do të zbulojnë se trupi i tij e prodhonte natyrshëm kokainën si nënprodukt të tretjes së hamburgerëve të pjekur tepër.
Gjithçka që ai thotë apo bën, nuk mban aromën e një politikani, por të një kolosi të industrisë së argëtimit të drejtuar nga egoja. E hëna në Egjipt, me gjithë liderët botërorë që ecin pas tij me ngathtësi, dukej tamam si Ceremonia Zyrtare e Publikimit të një Procesi Paqeje. Egoja mund të jetë padyshim krijuese, ndaj duhet pranuar gjerësisht se ky kompromis “mbaj-frymën” nuk do të kishte ndodhur kurrë pa protagonistin tonë kryesor.
Në vitet e fundit mund të keni lexuar traktate të tëra për “doktrinën Trump”, shpesh të shkruara nga ish-ministra të jashtëm apo diplomatë të nderuar, që nuk arrijnë kurrë të kapin thelbin e entitetit me të cilin kanë të bëjnë. Arsyeja është e thjeshtë: shumica e tyre ose e përbuzin shoubizin, ose dinë për të më pak se për ndonjë degë të errët të kimisë teorike. Gabimi i tyre fatal është përpjekja për ta krahasuar Trump-in me Henry Kissinger-in, Benjamin Franklin-in apo ndonjë diktator të shekullit XX, kur në fakt duhet ta krahasojnë me Elizabeth Taylor, Taylor Swift apo me Led Zeppelin në kulmin e çmendurisë së tyre.
Ky gabim kategorik është edhe më i habitshëm sepse Trump e bën shumë të qartë filozofinë e tij të bazuar në yllësi. Ai flet vazhdimisht për audiencat, publikon “diss track”-e politike dy herë në javë, është patologjikisht alergjik ndaj kujtdo që merr më shumë vëmendje se ai, ka një gjenialitet për ngjarje të inskenuara dhe i përthith të gjitha përpjekjet e ekipit në vetvete. Ai është solipsist, i paparashikueshëm dhe lehtësisht i mërzitur – si në mënyrë natyrore, ashtu edhe strategjike. Monsterët e shoubizit lindin, por edhe krijohen. Ajo që pamë në Izrael dhe Egjipt dje ishte modus operandi i një mega-ylli në periudhën kur askush nuk mund t’i thotë “jo”.
Në një epokë ku cilësia më e lavdëruar e një ylli është “autenticiteti”, është e habitshme që për Trump-in askush nuk pyet: “Po çfarë beson vërtet ky njeri?” Gjithçka është në ekran, përpara jush. S’ka metoda të fshehta; nëse ka, ato mbështeten te anti-filozofia që pjesa e parë e fjalës “metodë” është “me” (“unë”). Gjithçka që ai bën — përfshirë planin aktual të paqes — buron nga praktika yllore e “më sillni projekte”, që do të realizohen vetëm nëse emri i tij vihet sipër.
Dhe njerëzit i sjellin çdo lloj projekti — resorte luksoze ndërkombëtare, proces paqeje, linja parfumesh. Të gjitha kthehen në atë që Hollivudi do ta quante “një mjet i Donald Trump-it”. Mund të ketë madje edhe merchandise të lidhur me këtë armëpushim, nëse ai zgjat. Pas tentativës për vrasje vitin e kaluar, Trump publikoi parfumin “Fight, Fight, Fight”, që vazhdon të shitet menjëherë. Mos u çudisni nëse shfaqet së shpejti një “Peace Through Strength” aftershave në faqen e tij online.
Pothuajse asnjë mega-yll nuk bën më gjëra vetëm për arsye humanitare apo artistike. Tregtia bëhet mënyrë për të mbajtur rezultatin dhe luan rol më të madh. Dyshoj se Blake Lively nisi betejën ligjore ndaj Justin Baldoni-t pasi vuri re se si një fushatë e fshehtë shpifjesh ndikonte në imazhin e saj tregtar përmes uljes së shitjeve të linjës së re të kujdesit për flokët. Taylor Swift “shpërtheu” ndaj Katy Perry-t kur kjo e fundit u përpoq të punësonte disa nga valltaret e saj rezervë — ose, siç e pa Taylor, “përpiqej të sabotonte një turne të tërë”. E vështirë të mos mendosh se edhe Trump e mori këtë nismë paqeje për arsye të ngjashme egoiste. Tregtia është territori i tij i shenjtë, dhe më mirë mos e prek pa leje. Në rastin e Katarit, ku organizata e familjes Trump kishte nënshkruar një marrëveshje 3 miliardë dollarëshe për ndërtimin e një resorti golfi, është e kuptueshme pse do të zemërohej nëse dikush lëshon raketa aty afër. “Si guxon, Bibi?!”
…
Tani na nxisin të mendojmë se Trump ka hyrë në epokën e tij si “pajtimtar i madh”. Në fakt, më kujtoi shumë diçka tjetër: filmin-album të Taylor Swift-it, The Official Release Party of a Showgirl, ku ajo shfaqet duke ardhur në set kur të tjerët kanë punuar për javë të tëra, dhe idetë e saj merren menjëherë për gjeniale. Të gjitha përfundojnë duke u realizuar, dhe natyrisht krediti përfundon te ajo. E njëjta atmosferë duket se mbretëron edhe në Shtëpinë e Bardhë.
Kur ai humbi çmimin Nobel javën e kaluar, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë reagoi si Kanye West-i që ndërpret Taylor Swift-in në Grammy, duke shpërthyer: “Ai ka zemrën e një humanitari, dhe nuk do të ketë kurrë njeri tjetër si ai që mund të lëvizë malet me forcën e vullnetit të tij.”
Epo, gjithmonë ka vitin tjetër. Deri më sot, 21 yje kanë fituar “EGOT” (Emmy, Grammy, Oscar, Tony). Por vetëm njëri synon “EGONT”.
*Marina Hyde është kolumniste e gazetës The Guardian/ Përgatiti për botim: L.Veizi