Një mosmarrëveshje e gjatë midis dy familjeve në Kretë, çoi në një sulm të përgjakshëm këtë të shtunë në Vorizia të Heraklionit. Policia helene ka konfirmuar deri më tani dy të vdekur, ndërsa mediat raportojnë edhe për mbi 10 të plagosuri, e po ashtu frikën e autoriteteve se hakmarrja mund të zhvendoset deri në spitalet ku këta të fundit po trajtohen me ndihmë mjekësore.
Sipas informacioneve të Kathimerini, njëri nga dy të ndjerit është anëtar i familjes Kargaki, ndërsa gruaja e vdekur raportohet se ka pësuar një atak në zemër. Për më tepër, sipas të njëjtit informacion, anëtarët e familjes Fragkiadakis janë të njohur për autoritetet, pasi babai dhe djemtë janë tashmë në burg për vjedhje bagëtish.
Autoritetet po hetojnë aktualisht informacionet në lidhje me të paktën tre autorë, njëri prej të cilëve është i vdekur dhe dy të tjerët janë plagosur dhe po trajtohen nga mjekët.
Sipas raportimeve, një takim i palëve të përfshira në fshat pas debatit për kullotat ishte zhvilluar më parë.
Sakaq, policia greke ka “fortifikuar” zonën me të gjitha forcat e disponueshme në ishull dhe një operacion i madh policor është duke u zhvilluar. Pas incidentit të përgjakshëm, kreu i Policisë Helene, Dimitris Mallios, udhëtoi për në Kretë, së bashku me kreun e “FBI-së” greke, Fotis Ntuitsis. Ata shoqërohen nga një ekip special prej 10 personash nga DAOE për t’u marrë me incidentin.
Përveç kësaj, ekipet speciale nga Atika do të mbërrijnë gjithashtu nesër në Kretë dhe do të stacionohen për një kohë të gjatë në fshat. m.p.
