Drejtoria Kryesore e Inteligjencës e Ukrainës (HUR) bëri të ditur se operacioni special kishte në shënjestër tubacionin e naftës Koltsevoye, i cili furnizonte ushtrinë ruse dhe ndodhet vetëm pesëdhjetë kilometra nga kryeqyteti rus, Moska.
Të shtunën, HUR njoftoi për sulmet e saj më të fundit që synuan infrastrukturën ruse të naftës – nga rafineritë te tubacionet ndërsa Kievi përpiqet të intensifikojë kundërofensivën ndaj sektorit që, sipas tij, financon pushtimin e Kremlinit.
Këto sulme janë pjesë e taktikës së ushtrisë ukrainase për ta “sjellë luftën në shtëpitë e rusëve të zakonshëm”, pa rrezikuar jetët e civilëve.
Qëllimi është të goditen sektorë dhe industri që ndikojnë drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve rusë – si energjia që përdorin për ngrohje dhe ndriçim, apo ndërprerja e operacioneve ajrore në aeroporte përmes dronëve.
Kjo strategji synon të nxisë presion të brendshëm ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, që të pranojë negociata paqeje dhe t’i japë fund pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, tashmë në vitin e katërt të tij.
Pas një operacioni të zhvilluar të premten nga HUR, në rajonin e kryeqytetit rus, u shkatërruan tre seksione të tubacionit të naftës Koltsevoye, “i cili furnizonte ushtrinë pushtuese ruse”, njoftuan shërbimet speciale ukrainase në një deklaratë zyrtare.
“Pajisjet kundër dronëve dhe ‘mbrojtja’ e objektit armik nga rojet paramilitare rezultuan të pafrytshme: tre segmentet përmes të cilave transportoheshin benzina, nafta dhe parafina shpërthyen njëkohësisht dhe me sukses; tubacioni u nxor jashtë funksioni,” thuhet në deklaratë.
Tubacioni kryesor Koltsevoye është 400 kilometra i gjatë. Karburantet që transportohen përmes tij vijnë nga rafineri të rajoneve të ndryshme, përfshirë Riazanin, Nizhni Novgorodin dhe Moskën. m.p.
