Stadiumi “MetLife”, një nga impiantet kryesore të Kupës së Botës, është vendosur në qendër të kritikave për cilësinë e fushës. Pas ndeshjeve të para të zhvilluara aty, disa futbollistë kanë shprehur pakënaqësi për kushtet e lojës.
Adrien Rabiot, pas fitores 3-1 të Francës ndaj Senegalit, deklaroi se sipërfaqja kishte nevojë për përmirësime dhe se ishte shumë e fortë.
Edhe Vinicius Junior komentoi gjendjen e terrenit pas barazimit 1-1 mes Brazilit dhe Marokut, duke theksuar se temperaturat e larta po ndikonin në tharjen e fushës.
Sipas tij, kjo situatë ngadalësonte ritmin e lojës dhe vështirësonte qarkullimin e topit. Për Botërorin, stadiumi zëvendësoi tapetin artificial me bar natyral, por rezultatet nuk kanë qenë ato të pritura.
Ankesat për cilësinë e fushës nuk janë të reja, pasi prej vitesh edhe lojtarët e New York Giants dhe New York Jets kanë ngritur shqetësime të ngjashme. Organizatorët janë përballur me presion për të përmirësuar kushtet përpara ndeshjeve të ardhshme të turneut./kb
