Last Updated on 15/12/2025 by Monika
Ish-deputeti i PD-së, Edmond Spaho, ka reaguar lidhur me kritikat që i kanë mbi qëndrimet që po mban ndaj udhëheqjes së Partisë Demokratike. Në postimin e tij në rrjetet sociale, Spaho shprehet se aktualisht PD po sillet si “pulë pa kokë”.
Më tej, ish-deputeti thotë se në 35 vjet u ka qëndruar besnik idealeve të PD-së, ndërsa ndau edhe një takim dhe bisedë të tij me kryedemokratin Sali Berisha të zhvilluar në shtator të 2021-shit, kur filloi Foltorja.
Në fund në postim, Spaho shkruan se kritikat dhe qëndrimet e tij bazohen në gabimet mbi 13-vjeçare të bëra nga të gjithë deputetët demokratë. Ai thekson se duhen njerëz të përkushtuar dhe punë për të ngritur një PD, që, sipas tij, është “vënë përfund”.
Reagimi i plotë:
Kritikëve të mi!
Shikoj shumë militantë që më ofendojnë pa fund në FB për qëndrimet që po mbaj dhe kritikat ndaj udhëheqjes së PD-së, e cila sipas meje po sillet si pulë pa kokë.
Duket që për militantët jam tradhtar. Megjithatë dua t’ju pyes se përse nuk më quajtët tradhtar:
1.Në shtator 2021 kur nga të parët u rreshtova në krah të Foltores?
2.Në tetor 2021 kur, së bashku me 4 deputetë të tjerë, përfshirë Sali Berishën, u përjashtova nga PD? Të gjithë në 2025 u futën në listë të mbyllur? Unë jo, dhe nuk u ankova.
3.Kur u përjashtova 50 ditë nga Parlamenti sa rrallë ndonjë tjetër?
4.Kur i rashë bilbilit në shenjë proteste 6 orë në Kuvend duke shkelur mbi reputacionin tim sepse besova që do rrëzonim Ramën?
5.Kur mbroja Nongratën dhe kritikoja Ambasadën dhe Administratën Amerikane, megjithëse reputacionin e kisha si pro-amerikan i thekur?
6.Kur çdo ditë, së bashku me 5–6 deputetë, shkoja tek protesta tek Rruga e Shpresës dhe flisja më shumë se kushdo tjetër? Të tjerë “tanët” kishin ndot të vinin.
7.Kur dola i dyti me vota në primare në gjithë grupin parlamentar dhe nuk u futa në listë të mbyllur dhe prapë nuk u ankova?
Në 35 vjet nuk e kam dredhur asnjëherë dhe i kam qëndruar besnik jo emrave por idealeve të PD-së.
Në shtator 2021, kur filloi Foltorja, jam takuar me zotin Berisha në zyrën e tij, me kërkesën e tij për të mbështetur Foltoren. I premtova mbështetje të plotë si dhe i shpreha dy shqetësime:
1.E ke seriozisht këtë lëvizje që po fillon? M’u përgjigj PO. Më vonë kuptova që Foltorja u braktis për interesa që nuk lidheshin me ato me të cilat u krijua.
2.I sugjerova të mos merret me amerikanët, pavarësisht se të kanë rënë në qafë. Të merremi me partinë, ta forcojmë dhe të kthehemi në alternativë qeverisëse. Nuk m’u përgjigj.
Së fundi: Burrat mbahen nga fjala që japin. Sidomos kur janë në moshë të thyer. Akoma më keq kur të hanë pas krahëve. Flas për burra jo për flamurka.
Kritikat e mia janë të drejta, bazohen mbi gabimet 13-vjeçare që kemi bërë së bashku. Që të fitojmë duhet strategji e re, njerëz të përkushtuar dhe punë pafund në bazë për të ngritur PD-në e cila sot duket e vënë përfund./mxh
