Sektori i bujqësisë përballoi një vit mjaft sfidues gjatë vitit 2025, duke reflektuar një performancë të luhatur me rënie të ndjeshme në disa prej kulturave më të rëndësishme për ekonominë dhe sigurinë ushqimore.
Kriza është evidente në prodhimin e drithërave dhe zhardhokëve, ku sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT prodhimi i grurit ka shënuar një rënie prej 10,1 %, ndërsa prodhimi i patates është tkurrur me 7,2 % krahasuar me një vit më parë.
Situata paraqitet edhe më shqetësuese në sektorin e pemëtarisë, i cili ka regjistruar rënien më të thellë, me një ulje prej 12,8 % në prodhimin total.
Edhe sektorët strategjikë si prodhimi në serra dhe ullinjtë kanë pësuar rënie, përkatësisht me 0,9 % dhe 2,3 % krahasuar me vitin 2024. Për më tepër, kategoria e perimeve të thata ka shënuar gjithashtu një rënie prej 6,7 % të prodhimit të saj.
Ky bilanc negativ për vitin që lamë pas, pavarësisht rritjeve të izoluara në sektorë si elbi, bimët mjekësore dhe bostanoret, ngre pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë afatgjatë të këtyre kulturave dhe nevojën për ndërhyrje më efikase për të mbështetur prodhuesit vendas përballë sfidave që hasin çdo ditë./ kb
