Last Updated on 09/08/2026 by EL
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi në një intervistë për Euronews Albania ka dhënë detaje lidhur me zjarrin në Krujë i cili tashmë është vënë nën kontroll dhe është shuar. Gjatë mbrëmjes së djeshme, zjarri rrezikoi seriozisht qytetin e Krujës dhe banorët.
Nga Qendra Operacionale në Shtabin e Përgjithshëm, ministri Nufi bëri me dije se situata tashmë ndodhet në monitorim të plotë, ndërsa theksoi se gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar rreth 24 vatra zjarri në rang kombëtar.
Duke u ndalur te zjarri në Krujë, ministri u shpreh se ajo ka qenë një nga situatat më problematike të 3-4 viteve të fundit. Sipas tij, zjarri u përhap brenda 7 minutave nga njoftimi i parë, duke rrezikuar banesat, spitalin dhe jetën e qytetarëve, por falë ndërhyrjes së menjëhershme nga toka dhe ajri, u bë e mundur që situata të vihej nën kontroll rreth orës 06:00 të mëngjesit.
“Sot që flasim, situata është në monitorim të plotë. Kanë qenë rreth 24 vatra zjarri gjatë ditës së djeshme dhe gjatë orëve të fundit. 23 nga këto janë adresuar. Vatra më e madhe e zjarrit është hequr në qytetin e Krujës, ku një angazhim i jashtëzakonshëm i Forcave të Armatosura, i zjarrfikësve, të bashkive të ndryshme të Republikës, i Policisë së Shtetit, të gjithë atyre personave që ishin në vijë të parë të flakëve, bënë të mundur që të parandalojnë një katastrofë shumë të madhe.
Siç e keni parë edhe në pamjet filmike që janë transmetuar dje për gjatë ndërhyrjes, ka qenë një situatë jashtëzakonisht e vështirë. Unë ju flas këtu nga Qendra Operacionale në Shtabin e Përgjithshëm, ku më bëhet monitorimi me dron i territorit të Republikës së Shqipërisë, dhe gjatë gjithë kohës, edhe gjatë darkës dje, ne kemi pasur dronin TB2 i cili ka bërë monitorimin e gjithë territorit të Republikës, jo vetëm për vatrën e zjarrit që ndodhej në Krujë, që ishte jashtëzakonisht shumë e madhe, por edhe në të gjitha vatrat e tjera të zjarrit që ndodheshin në vendet e tjera: në Kavajë, Mallakastër, Tiranë e tjerë”, tha ai.
Ministri theksoi se vendi disponon kapacitete operacionale të jashtëzakonshme për këtë sezon, duke përfshirë një flotë prej 5 helikopterësh të Forcave të Armatosura, si dhe monitorim të vazhdueshëm përmes dronëve të avancuar dhe dronëve termikë.
Gjithashtu, ai shtoi se në vend ndodhet tashmë avioni trajnues për Canadair, ndërsa pritet që brenda dy ditësh të mbërrijë edhe i dyti, në kuadër të përgatitjeve për flotën e re të porositur për emergjencat civile. Nëse situata do të dalë jashtë parashikimeve, ministri theksoi se do të aktivizohet Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile.
“Vetëm ditën e djeshme në qytetin e Krujës kanë qenë mbi 400 forca, 200 prej tyre kanë qenë nga Forcat e Armatosura e 200 e ca forca të tjera mund të kenë qenë nga Zjarrfikësit, AKMC-ja, i gjithë personeli tjetër që ishin në situatën e zjarrit në Krujë.
A mjaftojnë kapacitetet dhe investimet për përballimin e emergjencave civile? Ka gjithmonë punë për të bërë. A kemi ne kapacitete pranë zjarrfikësve dhe pranë Forcave të Armatosura për t’i bërë ballë gjithë emergjencave që ndodhin në territorin e Republikës? Deri tani kemi pasur një menaxhim të jashtëzakonshëm dhe deri tani kemi pasur një ndërhyrje në kohë reale për shuarjen dhe përballimin e gjithë situatës së zjarreve.
Unë me shumë trishtim kam parë sot në mëngjes pasi u largova nga qyteti i Krujës në orën 6 të mëngjesit, pasi kalova të gjithë peripecinë e natës dhe ndërhyrjen e djemve dhe të gjithë efektivëve, qoftë zjarrfikës, qoftë Forcave të Armatosura në ballë të flakëve.
Keni parë videot, kam qenë vetë prezent në momentin kur ka shpërthyer zjarri, që është ajo videoja ikonike që zjarrfikësit po ndërhyjnë dhe gati sa nuk janë djegur fizikisht. Kemi pasur djemtë poshtë në momentin që ai zjarr ka shpërthyer, meraku i kush ishte vetëm për njerëzit që ishin të rrethuar nga të dyja krahët nga zjarri, por ishte dhe për djemtë që ishin poshtë duke u ndihmuar.
Është shumë kollaj të theksojmë që erdhën me vonesë, duhet të bëjmë më shumë, duhet të kishim bërë më shumë. Jo fondi i emergjencave, jo avionët… që në fakt avioni trajnues për Canadair është këtu dhe ka bërë jo vetëm trajnimin e pilotëve tanë, por ka bërë edhe ndërhyrjen në kuadër të këtyre trajnimeve për shuarjen e zjarreve.
Për punë dy ditësh do të vijë edhe avioni i dytë trajnues që do bëjë edhe ai ndërhyrjen te zjarri në kohë reale për të trajnuar pilotët tanë për të tre avionët Canadair që ne kemi porositur për emergjencat civile në Republikën e Shqipërisë.
Flota e zjarrfikësve është shumë e mirë, do shtohet edhe më tepër flota e zjarrfikësve në Forcat e Armatosura. Shikoj prapë me trishtim, gati me cinizëm se si njerëzit adresohen, “jo u fik me lopata, s’u fik me lopata”. Çdo mjet rrethanor i cili është standardizuar, gjendet pranë Forcave të Armatosura dhe përdoret për shuarjen e zjarreve.
Është shumë kollaj të bësh teoricienin nga divani i shtëpisë me pultin e televizorit, është shumë e vështirë të jesh në front të parë te zjarri e të rrezikosh jetën. Dhe unë kam parë me sytë e mi dje përkushtimin e zjarrfikësve dhe Forcave të Armatosura që asnjë shtëpi të mos digjej”, shtoi ai./et
