Last Updated on 10/12/2025 by Monika
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez ka zhvilluar një takim në Madrid me Presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas. Duke theksuar qëndrimin e tij për zgjidhjen me dy shtete për t’i dhënë fund konfliktit midis izraelitëve dhe palestinezëve, Sanchez u zotua se do të ngrinte zërin e tij në mënyrë që situata dramatike në të cilën ndodhet populli palestinez të mos harrohet.
“Po, ekziston një marrëveshje armëpushimi, por kjo marrëveshje duhet të jetë reale, jo fiktive. Kjo është arsyeja pse ne nuk do të pushojmë derisa të ndalen sulmet kundër popullsisë dhe të mos ketë më viktima”, vazhdoi ai.
Kryeministri spanjoll siguroi gjithashtu se mbështet Autoritetin Palestinez, për të cilin tha se duhet të luajë një rol qendror dhe themelor në formimin e mekanizmave qeveritarë që do të përcaktojnë të ardhmen e popullit palestinez.
“Ky vit, i cili po mbaron, ka qenë i tmerrshëm për popullin palestinez. Për të rindërtuar shpresën, na duhet një paqe e vërtetë dhe kjo paqe e vërtetë duhet të bazohet në drejtësi. Kjo është arsyeja pse dua të jem i qartë: ata që janë përgjegjës për këtë gjenocid duhet të mbahen përgjegjës, herët a vonë, në mënyrë që viktimat të mund të sillen para drejtësisë”, shtoi ai.
Abbas falënderoi Spanjën për njohjen e shtetit të Palestinës dhe për luajtjen e një roli kyç në krijimin e një koalicioni ndërkombëtar vendesh, qëllimi i të cilit është të arrijë njohje më të gjerë të shtetit palestinez. Ai gjithashtu bëri thirrje për fundin e dhunës, në të gjitha format e saj në Rripin e Gazës dhe në Bregun Perëndimor./mxh
