Last Updated on 28/11/2026 by Anisa
Në kishat orthodhokse të Shqipërisë është mbajtur sot Dhoksologjia e Flamurit, kjo në ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë 114 vjetor të Pavarësisë, nga Katedralja “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, Kryepiskopi i Shqipërisë, Fortlumturi Joani vlerësoi sakrificën e personave që ruajtën identitetin shqiptar.
Imzot Joani tha se “ne nuk jemi pronarët, jemi kujdestarët dhe një ditë do të japim llogari”, ndërsa tregoi se Perëndia na ka bekuar që kemi një vend kaq të bukur dhe të begatë.
“Në këtë ditë të shënuar historike për kombin tonë, kisha bën një dhoksologji të flamurit. Përse e bën këtë vazhdimisht dhe përsërisim vazhdimisht? Sepse është shumë e rëndësishme, e shumë gjëra të rëndësishme duhet të përsëriten që të nguliten në mendjen tonë e në zemrën tonë.
Kisha e bën për disa arsye. E para, është një falenderim për Perëndinë që na ka dhënë një vend shumë të bukur, që i ka të gjitha gjërat. Detyra jonë është që këtë vend ta lulëzojmë.
E së dyti, në këtë ditë përkujtojmë të gjithë ata klerikë, laikë, që në shekuj ruajtën besimin, gjuhën dhe identitetin e tyre nëpërmjet kohëve shumë të ashpra të historisë dhe ju themi atyre të gjithëve: faleminderit!
Dhe e treta më e rëndësishme është që këtë vend të bukur që na ka dhënë Perëndia, ne kemi për detyrë ta mbrojmë, ta ruajmë e ta ndriçojmë, sepse ne nuk jemi pronarët. I Zotit është dheu dhe gjithçka që ndodhet në të, thotë psalmisti. Gjë që do të thotë që ne jemi kujdestarët, mund të jemi kujdestarë të mirë ose kujdestarë të këqij. Nëse do të duam Perëndinë, do t’i duam edhe njerëzit, se është e pamundur të duash Perëndinë e mos duash vendin ku je lindur dhe i rritur. Një njeri që nuk do Perëndinë, shpeshherë ka vështirësi për të pasur dashuri dhe për njerëzit.
E përsërisim vazhdimisht një episod nga Ungjilli, përpara se Zoti t’i jepte një mision shumë të rëndësishëm Pjetrit për t’u kujdesur për grigjën e tij, e pyet tre herë dhe i thotë: “Simon, i biri i Jonait, a më do më shumë sesa këta të tjerët?” E mbasi i thotë: “Po, Zot, të dua”, i thotë: “Kullot shqerrat e mia.” Gjë që do të thotë, nëse do të duam Perëndinë, do të duam mësimin e tij, edhe urdhërimet e tij. Dhe urdhërimi kryesor është pikërisht kjo gjë: ta duam Zotin me gjithë shpirtin tonë e ta duam të afërmin si veten tonë. Të kemi gjithmonë në mend një gjë, që ne nuk jemi pronarët, jemi kujdestarët dhe një ditë do të japim llogari”, tha mes të tjerash Kryepiskopi Joan.

“O Zot, që bekon dhe shenjtëron, ti bekoje flamurin tonë, dhe shpëtoje shtetin tonë dhe popullin tonë nga çdo rrezik dhe shtrëngesë dhe drejtoje në udhën e dritës, të lirisë dhe të përparimit nën hijen tënde dhe vlerësona ne të pavyerit të kremtojmë këtë ditë të lavdëruar, me nder, shëndet edhe ditë të gjata këtu dhe kudo.
Se ti je Perëndi mëshirues dhe njeridashës, dhe ty ta dërgojmë lavdinë, Atit edhe Birit edhe Shpirtit të Shenjtë, tani dhe përherë, dhe në jetët e jetëve”, thuhet në Dhoksologjinë e Flamurit, uratën që lexohet në kishat orthodhokse të vendit.
