Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump dhe zyrtarë rusë kanë hartuar një propozim të ri për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë. Plani, sipas burimeve të përfshira në diskutime, i është paraqitur këto ditë Kievit nga i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff.
Mediat e huaja thonë se dokumenti prej 28 pikësh parashikon lëshime të mëdha nga Ukraina, përfshirë dorëzimin e pjesës së mbetur të Donbasit dhe përgjysëmimin e ushtrisë ukrainase. Drafti kërkon gjithashtu kufizimin e armatimeve, ndërprerjen e një pjese të ndihmës ushtarake amerikane dhe ndalimin e trupave të huaja në territorin ukrainas.
Një element tjetër i diskutueshëm lidhet me njohjen e gjuhës ruse si gjuhë zyrtarenë Ukrainë dhe dhënien e statusit zyrtar degës ukrainase të Kishës Ortodokse Ruse, kërkesa që prej vitesh janë objektiva të Kremlinit.
Burime nga Kievi e kanë cilësuar planin si shumë të njëanshëm, ndërkohë që disa zyrtarë amerikanë e shohin si një përpjekje për të detajuar pritshmëritë e Moskës për të nisur negociatat.
Plani vjen në një moment të vështirë për presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i cili përballet me një skandal të gjerë korrupsioni brenda rrethit të tij të afërt, duke rritur presionin politik të brendshëm dhe kritikët në parti.
Lajmet për propozimin e paqes kanë ndikuar edhe në tregjet ndërkombëtare. Çmimet e naftës ranë ndjeshëm pasi investitorët parashikuan ulje të rreziqeve të furnizimit, të lidhura me sanksionet e fundit amerikane ndaj kompanive ruse të energjisë./MXH
