Nga pagat e larta dhe pabarazia e ulët te shëndetësia dhe mundësitë për argëtim, një renditje e re nxjerr në krye qytetet nordike, alpine dhe zvicerane.
Bergen, qyteti norvegjez i rrethuar nga fjorde dhe male, është qyteti europian me cilësinë më të lartë të jetesës për vitin 2026, sipas indeksit të ri Global Cities Index të Oxford Economics.
Indeksi rendit 1,000 nga qendrat më të mëdha urbane në botë dhe, për komponentin e cilësisë së jetës, merr në konsideratë tregues si barazia e të ardhurave, pagat, kostot e strehimit, jetëgjatësia, si dhe mundësitë për kulturë dhe argëtim.
Në renditjen botërore, vendin e parë e zë Canberra në Australi, ndërsa Bergen renditet i dyti në botë dhe i pari në Europë.
Qyteti norvegjez, i vendosur pranë fjordit Byfjorden dhe i rrethuar nga male, vlerësohet veçanërisht për ekuilibrin mes punës dhe jetës private.
Pagat janë të larta, diferencat në të ardhura relativisht të vogla dhe sistemi shëndetësor ndikon në jetëgjatësinë e lartë të popullsisë.
Një rol të rëndësishëm luan edhe Spitali Universitar Haukeland, një nga institucionet kryesore shëndetësore të Norvegjisë.
Në vendin e dytë në Europë dhe të katërtin në botë renditet Grenoble në Francë.
I njohur si “kryeqyteti i Alpeve”, qyteti kombinon një sektor të zhvilluar të kërkimit shkencor me mundësi të shumta për aktivitete në natyrë dhe sporte dimërore.
Grenoble kishte kryesuar renditjen për cilësinë e jetës në vitin 2024.
Berna, kryeqyteti i Zvicrës, mban vendin e tretë në Europë dhe të pestin në botë.
Qyteti vlerësohet për shërbimet publike, fuqinë e lartë blerëse dhe një mjedis urban të pastër e më pak stresues se metropolet e mëdha.
Në dhjetëshen europiane përfshihen edhe dy kryeqytete të mëdha, Oslo dhe Parisi, ndërsa Zvicra dhe Norvegjia kanë secila nga dy qytete.
10 qytetet europiane me cilësinë më të lartë të jetesës më 2026:
1. Bergen, Norvegji – i 2-ti në botë
2. Grenoble, Francë – i 4-ti
3. Bernë, Zvicër – i 5-ti
4. Oslo, Norvegji – i 6-ti
5. Luksemburg, Luksemburg – i 7-ti
6. Dresden, Gjermani – i 8-ti
7. Gent, Belgjikë – i 9-ti
8. Paris, Francë – i 10-ti
9. Bazel, Zvicër – i 11-ti
10. Linz, Austri – i 12-ti
/ TimeOut-ad


