Mbrojtësi Marash Kumbulla po luan sezonin e tij të dytë në La Liga, këtë herë i huazuar te skuadra e Mallorcas nga klubi i Romës.
Përpara kësaj përvoje, ai ishte pjesë e Espanyolit, klub i cili vendosi të mos e blinte kartonin e tij pas përfundimit të huazimit.
Raportimet e mediave spanjolle tregojnë se edhe Mallorca po konsideron të njëjtin vendim, duke e vlerësuar si të lartë shifrën prej 8 milionë eurosh për blerjen përfundimtare.
Gjatë këtij sezoni, 25-vjeçari shqiptar është aktivizuar në 7 ndeshje me Mallorcan, duke regjistruar gjithsej 396 minuta lojë. Ekziston mundësia që lojtari të rikthehet te Roma gjatë afatit kalimtar të janarit ose në përfundim të sezonit në verë.
Situata e tij mbetet e paqartë sa i përket qëndrimit në kampionatin spanjoll përtej fazës së parë të sezonit. Aktualisht nuk ka një konfirmim zyrtar nëse do të ketë një ndryshim ambienti gjatë merkatos së dimrit.
Ecuria e mbrojtësit po monitorohet nga të dyja klubet për të përcaktuar hapat e mëtejshëm në karrierën e tij./mxh
