Dy organizata hungareze për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kanë kritikuar një projekt-amendament kushtetues të propozuar nga qeveria e kryeministrit Peter Magyar, i cili parashikon largimin e presidentit Tamas Sulyok dhe vendosjen e një kufiri mandatesh për deputetët.
Partia e qendrës së djathtë Tisza, e drejtuar nga Magyar dhe që mori pushtetin në prill pas 16 vitesh qeverisje të Viktor Orbanit, argumenton se Sulyok është një “kukull” e ish-kryeministrit dhe se kufizimi në 12 vjet i mandatit të deputetëve do të ndihmojë në zgjerimin e përfaqësimit politik.
Presidenti hungarez ka kompetenca të kufizuara, kryesisht për të kthyer ligjet për rishqyrtim ose për t’i dërguar ato për shqyrtim kushtetues.
Tamas Sulyok, i cili ka shërbyer për 10 vjet si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, tetë prej tyre si kryetar i saj, përpara se të zgjidhej president në vitin 2024, ka deklaruar se nuk ndjek asnjë axhendë politike dhe se ka ushtruar vetëm rolin e tij institucional për ruajtjen e balancave kushtetuese.
Falë shumicës së cilësuar në Parlament, partia Tisza ka mundësinë të ndryshojë Kushtetutën dhe të zhbëjë një pjesë të reformave të ndërmarra gjatë qeverisjes së Orbanit, të cilat kritikët i konsiderojnë të dëmshme për demokracinë.
Sipas projektligjit, qëllimi i ndryshimeve është të garantojnë “kushtet për rivendosjen e demokracisë kushtetuese”. Amendamenti parashikon ndërprerjen e menjëhershme të mandatit të presidentit Sulyok, duke argumentuar se ai ka humbur seriozisht besimin e shoqërisë.
Organizata Amnesty International Hungary deklaroi se beson se Sulyok është bërë “i padenjë për postin që mban”. Megjithatë, drejtori i komunikimit të organizatës, Aron Demeter, tha për ATV se shkarkimi i presidentit përmes një procedure impeachment do të ishte një proces “më i drejtë dhe më i ndershëm” sesa largimi i tij përmes një amendamenti kushtetues.
Edhe analisti politik Gabor Torok kritikoi planin, duke kundërshtuar idenë e shkarkimit të kreut të shtetit “me një amendament kushtetues prej një fjalie”.
“Njerëzit që votojnë për këtë mendojnë se mund të bëjnë gjithçka falë shumicës së tyre të cilësuar”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Ndërkohë, Unioni Hungarez për Liritë Civile vlerësoi se vendosja e kufirit të mandateve për deputetët nuk është një çështje urgjente dhe se duhet të trajtohet në kuadër të një rishikimi të gjerë dhe të thelluar të Kushtetutës./mxh
