Nga Lutfi Dervishi
Sindikatat ishin vetëshkatërruar me kohë.
Më pas, goditja ra mbi partitë e vogla.Edhe pse pa peshë të madhe, ato bezdisnin: kërkonin pjesën e tyre të pushtetit, bënin pazar për pak më shumë dhe ndodhte edhe që ngrinin krye.
Pastaj erdhi radha e partisë “kingmaker”, asaj që vendoste fatin e qeverisjes, për t’i lënë vendin më pas sulmit ndaj partisë më të madhe opozitare.
Ndërkaq, vetë partia në pushtet ka kohë që nuk funksionon më si parti.
Opozita, media, shoqëria civile, gjyqësori dhe institucionet e pavarura mund të jenë bezdi e madhe, por janë pikërisht ato që mbajnë përplasjen shoqërore brenda shinave. Ato negociojnë, amortizojnë revoltën dhe krijojnë valvola shkarkimi. Janë edhe adresë e mirë për t’i fajësuar.
Tani që zemërimi ka vërshuar në rrugë dhe armiqtë e brendshëm janë shkatërruar, do të duhet të shpiken armiq të jashtëm.
Duke rrëzuar çdo mur që të kufizon pushtetin, vjen një moment kur kupton se disa nga ato mure mbanin çatinë mbi kokën tënde.
