Last Updated on 11/07/2025 by adminfjala
Nga Shpëtim Luku
Në historinë politike shqiptare ka disa veprime që për nga absurditeti dhe pasoja, do të mbeten gjatë në kujtesën kolektive. Një prej tyre është ai i opozitës së para dy legjislaturave, kur nën drejtimin e Lulzim Bashës, u ndërmor akti ekstrem i djegies së mandateve. Të gjithë e kujtojmë, një vendim i marrë nën flamurin e “radikalizimit të opozitës” që përfundoi si një akt vetëshkatërrues. Sepse, në demokraci, vendet bosh në parlament nuk qëndrojnë bosh. Ato plotësohen, dhe ashtu ndodhi: u mbushën nga një listë me emra që nuk i njihte askush, e që e rrënuan më tej imazhin e opozitës. E që, në fund të fundit, e zgjatën jetën parlamentare pa asnjë ndalim, madje me pak më shumë “show” sesa më parë.
Për këtë arsye, mendon kushdo, ky precedent do duhej të shërbente si mësim për çdokënd që aspiron të hyjë në politikë. Por ja që Adriatik Lapaj, që prej kohësh ka zgjedhur të fluturojë mbi re populizmi e euforie, vendosi të përsërisë të njëjtën gabim në formë tjetër: deklaroi se, nëse koalicioni i tij merr vetëm një mandat, ai nuk do ta marrë atë! Një gjest që i ngjan më shumë një “dileme etike imagjinare” sesa një strategjie politike të menduar mirë.
Deri këtu gjithçka mund të përtypej si një lapsus emocional, i justifikueshëm me pasionin e fushatës dhe me ndonjë falje të përtypur më pas. Por situata bëhet më interesante kur përballë këtij qëndrimi del një person nga fundi i listës, një punonjës ndërtimi, i cili nis të bëjë llogaritë: më mirë të më lodhet shpatulla në skelë apo të bëhem ligjvënës dhe të siguroj një të ardhme më të qetë, me status deputeti e pension të garantuar?
Kështu nis skenari që Lapaj nuk e kishte përllogaritur. Sepse, në Shqipëri, nuk është më koha e idealistëve që refuzojnë mandatet. Është koha e pragmatistëve që përfitojnë nga çdo hapësirë që hap sistemi, edhe kur ajo vjen si pasojë e një deklarate të pamatur. E në këtë rast, shanset që ndonjë emër i panjohur, por i etur për jetë më të mirë, të zërë vendin në Kuvend janë më reale sesa fjalët që thuhen për “moral politik”.
Prandaj, nëse dikush do ta pyesë Lapajn se çfarë mendon sot për deklaratën e tij, ndoshta përgjigjja më e sinqertë do ishte: “E thashë në një moment entuziazmi”. Por Shqipëria nuk është më në fazën e eksperimentimit me entuziazëm. Ajo ka paguar shumë për politikën e vendimeve të nxituara. Dhe me sa duket, do të vazhdojë të paguajë, sepse në vend që pësimi të bëhet mësim, historia politike shqiptare preferon ta kthejë gjithçka në rrethanë të përsëritur, ku emrat ndryshojnë, por gabimet mbeten po ato. Por nëse në rastin e parë bëhej fjalë për një lloj tragjedie për ato pasoja negative që i solli politikës dhe shoqërisë shqiptare, në rastin e dytë historia ka tërësisht trajtë komedie.
