Last Updated on 09/04/2026 by Anisa
Nga Afrim Krasniqi
Nuk është lajm fakti që politikanët premtojnë, bëjnë show, caktojnë data, prezantojnë një maket modern dhe pas votimit…gjithçka harrohet deri në zgjedhjet e radhës, ku përsëri prezantohet një maket tjetër, bëhet një premtim i ri, i cili në të shumtën e rasteve ka fatin e të parit, – mbetet në letër! Kjo është tipike për një vend e shoqëri ku politika nuk është llogaridhënëse para publikut/qytetarëve, por kërkon llogari nga publiku/qytetarët.
Ja një ilustrim, u promovua më 2019, u premtua për 2023, jemi më 2026 dhe natyrisht ekziston vetëm në letër dhe në ndonjë arkiv mediatik!
Ajo që përbën njëfarë lajmi dhe shqetësimi është tjetër, – si është e mundur që bota akademike dhe universitare, senate e senatorë, akademikë e profesorë, shefa ministror dhe këshilltarë bashkiakë, media e pranishme dhe “të pavarurit” e ftuar, etj, etj, pranojnë të jenë spektatorë gojëmbyllur e symbyllur: duartrokasin diçka që nuk ekziston, lavdërojnë diçka që e dinë që nuk do të bëhet dhe vijojnë ta përsërisin këtë në çdo show / para çdo qeverie, – madje e përfshijnë si arritje edhe në raportet vjetore të institucionit përkatës?
Liria akademike nuk lidhet me të drejtën për të folur apo shkruaj në ndonjë mbledhje, kafe apo mediat sociale, – midis të tjerash lidhet me të drejtën për të kërkuar, për të debatuar, për tu dëgjuar, për tu botuar, për tu konsideruar dhe për të mos u përdorur/keqpërdorur. Autonomi universitare apo integritet akademik & zyrtar nuk do të thotë të zgjedhësh vetë kur të flasësh, por të reagosh kur ka padrejtësi, kur cenohet institucioni dhe profesioni, të drejtat dhe përgjegjësitë, interesi publik i ndërlidhur dhe mjedisi shoqëror ku jeton. Duket si slogan, por janë detaje që brezi elitar i revolucionit kulturor të viteve ’60-‘70 nuk i njeh dhe ndonjëherë duhen kujtuar.
Për politikanët? I meritojmë? Unë mendoj se jo, por militantët ose/dhe gojëmbyllurit/symbyllurit mendojnë ndryshe, ndofta me të drejtë përderisa në takimin e radhës në të njëjtën sallë dhe më shumë të njëjtë prezent lajm u bë jo llogaridhënia, kriza e arsimit, kriza e kërkimit shkencor, dhe shumë elementë krizash të tjera, por batuta e shefit me studentin që qesh. Se në një mjedis të tillë politik e shoqëror nuk është çudi që edhe e qeshura përbën lajm dhe mund të ketë një projekt tjetër virtual për ta formatuar në të ardhmen!
