Nga Leonard Veizi
Ndoshta nuk ka forcë më të pamëshirshme dhe më përcaktuese për fatin tonë sesa uria. Ajo nuk duhet kuptuar thjesht si një mungesë fizike apo si një mekanizëm biologjik. Në terma ekzistencialë, uria është vetë gjendja e njeriut si një qenie e paplotë, një zbrazëti e përhershme që kërkon të mbushet. Uria ka shumë fytyra, dhe secila prej tyre zotëron pushtetin e frikshëm për t’i hequr maskën individit dhe për ta zhveshur atë deri në palcë.
Uria primitive
Ekziston, së pari, uria për bukë, ajo më e vjetra, më kronikja, më e egra. Ajo është manifestimi i pastër i instinktit të mbijetesës. Kur stomaku mbetet bosh për ditë të tëra, verniku i hollë i qytetërimit fillon të rripet me shpejtësi. Morali, ligji, kodi estetik, krenaria dhe të gjitha ato shtresa artificiale që njeriu ka ndërtuar mbi natyrën e tij shtazore fitojnë papritur statusin e një luksi të tepërt.
Historia nuk është thjesht një kronikë e datave, por një dëshmi e zhveshjes së njeriut përpara kësaj urie: një histori tradhtish, grabitjesh dhe aktesh ku kufiri midis njerëzores dhe shtazores fshihet plotësisht. Kjo nuk ndodh nga ndonjë prirje e lindur drejt së keqes, por sepse uria është kujtesa e egër e biologjisë. Ajo i pëshpërit individit një të vërtetë të pamëshirshme: përpara se të jetë filozof, poet, politikan apo shenjtor, ai është një organizëm që duhet të mbrojë ekzistencën e tij materiale.
Uria abstrakte
Në anën tjetër të spektrit qëndron një uri më e rafinuar, por po aq shkatërruese: uria për para. Ndryshe nga e para, kjo nuk lind në stomak, por në sferën abstrakte të mendjes. Ajo nuk ushqehet nga nevoja reale për mirëqenie, por nga një patologji e zotërimit. Njeriu që ha pak kërkon më shumë; ai që ka shumë, kërkon gjithçka.
Në këtë pikë, paraja pëson një transformim ontologjik: ajo pushon së qeni një mjet për të jetuar dhe kthehet në një instrument ankthi dhe pushtimi. Kjo uri nuk njeh ngopje, sepse ajo nuk tenton të përmbushë një nevojë fizike, por përpiqet më kot të mbushë një zbrazëti ekzistenciale. Sa më shumë akumulon individi, aq më shumë zgjerohet humnera brenda tij, duke e kthyer zotëruesin në peng të vetë pasurisë së tij.
Uria metafizike
Mbi të gjitha, si forma më e lartë dhe më e rrezikshme, qëndron uria për pushtet. Kjo është uria e plotë metafizike. Njeriu i uritur për pushtet nuk kërkon më të zotërojë sende, por të zotërojë vullnetin, lirinë dhe fatin e të tjerëve. Ky është vullneti për pushtet në formën e tij më të zhveshur.
Tiranët, diktatorët dhe arkitektët e sistemeve shtypëse janë skllevërit e kësaj urie që nuk shuhet kurrë. Tragjedia e tyre filozofike qëndron në faktin se ngjitja në hierarki nuk sjell paqe, por shton paranojën. Sa më lart të pozicionohen mbi të tjerët, aq më i madh bëhet tmerri nga rënia. Dhe pikërisht nga kjo frikë ekzistenciale e humbjes së kontrollit lind mizoria e organizuar.
Prandaj, kur flasim për “humanizmin” si një veti të qenësishme të njeriut, ndoshta duhet të jemi më skeptikë. Humanizmi dhe etika janë shpesh produkte të kohëve të qeta dhe të komoditetit material. Hiqjani njeriut sigurinë, hiqjani bukën, zhvisheni nga statusi dhe nga pushteti, dhe do të shihni se sa e brishtë, sa e hollë është ajo membranë që ndan qytetërimin nga gjendja e egër natyrore.
Uria nuk e shpërbën njeriun; i heq maskën. Arkitektura morale nuk rrëzohet, sepse nuk ishte ngritur kurrë. Ishte skenografi. Prova e vërtetë e karakterit njerëzor nuk matet kur njeriu është i ngopur, i pasur dhe i sigurt në kështjellën e tij. Ajo fillon pikërisht në momentin e zhveshjes totale: kur stomaku është bosh, kur xhepat janë bosh dhe kur pushteti është i paarritshëm. Vetëm atëherë shfaqet fytyra e vërtetë, e pakrematosur, e qenies njerëzore. Sepse uria nuk i krijon monstrat nga asgjëja; ajo thjesht dëshmon se ato kanë qenë gjithmonë aty, duke pritur në errësirë.
