Last Updated on 07/10/2026 by EL
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi në “Facebook” ka ndarë pamje nga ceremonia e inaugurimit të presidentes së re, Justina Shiroka-Pula. Kurti shkruan se konstituimi i Legjislaturës XI të Kuvendit, formimi i Qeverisë dhe zgjedhja e presidentes harxhuan shumë energji. Ai shkruan se nuk duhet të çohet dëm koha dhe duhet punuar me zell tashmë që nuk ka më pengesa.
“Shumë energji janë harxhuar për përmbylljen e procesit të formimit dhe funksionalizimit të institucioneve të Republikës së Kosovës: konstituimit të Legjislaturës XI të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe zgjedhjes së presidentes.
Mbrëmë profesoresha Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidente, e sot pranoi zyrtarisht detyrën nga ushtruesja e deridjeshme e saj, kryetarja e Kuvendit të Republikës, znj. Albulena Haxhiu.
Tani që janë krijuar kushtet për punë pa pengesa, zelli duhet të shtohet e koha nuk duhet të çohet dëm. Në shërbim të qytetarëve, për të mirën e përbashkët dhe në përmbushje të zotimeve e të programit tonë qeverisës. Edhe një herë urime të gjithëve”, shkruan Kurti./et
