Last Updated on 11/09/2025 by adminfjala
Besfor Lamallarit iu besua drejtimi i Ministrisë së Drejtësisë nga Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste. Reagimi dhe mimikat e Lamallarit në momentin kur kreu i qeverisë përmendi emrin e tij, u bënë virale në rrjet.
Tashmë Ministria e Drejtësisë është në dorën e Lamallarit, të riut dibran i cili ka kryer studimet për Drejtësi në Universitetin e Tiranës.
Studimet e tij kanë vazhduar edhe jashtë kufijve, në Itali dhe më pas në Universitetin e Oksfordit, ku u diplomua për Kriminologji dhe Drejtësi Penale.
Karriera e tij është mjaft e pasur, si studiues, konsulent për organizata ndërkombëtare si Këshilli i Europës, OSBE dhe BE.
Besfor Lamallari i cili do të drejtojë një nga ministritë më të rëndësishme në vendin tonë, është marrë gjerësisht me tema që lidhen me krimin e organizuar, radikalizimin dhe terrorizmin.
Besfor Lamallari, sot 38 vjeç, në vitin 2017 mori detyrën e Këshilltarit të Ministrit të Brendshëm si dhe Zëvendësministër nga 9 Tetori i po këtij viti.
Jo vetëm kaq. Besfor Lamallari ka përfaqësuar Shqipërinë në bashkëpunime me UNODC, Europol, FRONTEX e institucione të tjera të rëndësishme.
Ndërsa Ulsi Manja, i cili deri sot ishte Ministër i Drejtësisë është emëruar drejtues i Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike. m.p.
