Last Updated on 21/07/2025 by adminfjala
Brenda Hamasit po zhvillohet një betejë e ashpër për drejtimin dhe për vendimet strategjike lidhur me një marrëveshje të mundshme për armëpushim dhe për të ardhmen e luftës në Gaza. Në qendër të kësaj përplasjeje janë dy kampe të dallueshme, udhëheqësit ushtarakë në terren, në Rripin e Gazës, dhe drejtuesit politikë që jetojnë në mërgim, të shpërndarë në Doha, Stamboll dhe Bejrut.
Pala në Gaza akuzon drejtuesit në mërgim për bisedime me Izraelin pa një strategji të qartë për mbrojtjen e komandantëve lokalë, që në rast të një marrëveshjeje, rrezikojnë jetën e tyre. Ndërkohë, udhëheqësit jashtë Gazës i fajësojnë strukturat ushtarake për bllokimin e negociatave.
“Sa herë që Hamas pranon një propozim por kërkon ta ndryshojë, kjo tregon se ekziston një përplasje mes grupit të Gazës dhe atij të Dohas”, shpjegon një burim nga brenda Rripit të Gazës. Kjo ndodhi edhe para dy javësh, kur Hamas dha një “po” të kushtëzuar ndaj planit të ndërmjetësuar nga Katari dhe Shtetet e Bashkuara. Negociatat janë aktualisht të bllokuara mbi çështjen e pozicionimit të trupave izraelite gjatë armëpushimit, një pikë që tregon ndikimin e fortë të krahut ushtarak mbi lidershipin politik.
Brenda zyrës politike të Hamasit, një figurë që deri tani kishte qëndruar në prapaskenë duket se po fiton ndikim: Muhamed Darwish, i njohur si Abu Omar, kreu i Këshillit të Shuras, i vetmi lider i Hamasit i lindur në Liban. Darwish ishte udhëheqësi i delegacionit të Hamasit gjatë takimeve me udhëheqësit iranianë, përfshirë Udhëheqësin Suprem Ali Khamenei dhe presidentin Pezeshkian.
Sipas studiuesit izraelit Guy Aviad, autor i librit Fjalori i Hamasit, Darwish drejton një grup prej pesë figurash të rëndësishme të lëvizjes: Khalil Hayya (udhëheqës i negociatave në Doha), Khaled Meshaal, Zael Jabbarin (përgjegjës për Bregun Perëndimor), dhe Nizar Awadallah. Ky grup është ende funksional, ashtu si edhe rrjeti financiar i Hamasit, pas më shumë se 20 muaj lufte.
Megjithatë, as Darwish dhe as këshilli i tij nuk mund të marrin vendime përfundimtare pa mbështetjen e strukturave në terren. Dhe atje, në Gaza, kontrolli ushtarak është tashmë në duart e një figure të njohur për qëndrimet e ashpra: Izz al-Din al-Haddad, i quajtur “fantazma”./kb