Last Updated on 03/11/2026 by Anisa
Nga avokat Isuf Shehu
Shoqata e Prokurorëve kundërshton “vendimin paraprak të gjykatës për sekuestrimin dhe kontrollin e telefonave. Tri vendime të Gjykatës Kushtetuese brenda një viti tregojnë pse ai nevojitet.
Një ditë pasi qeveria paraqiti projektligjin prej 106 nenesh për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, Shoqata e Prokurorëve doli me një reagim të ashpër. Sipas saj, drafti vendos “barriera procedurale për sekuestrimet, kontrollet, përgjimet dhe përdorimin e provave të tjera” dhe rrezikon ta ngadalësojë ndjeshëm zbulimin e veprave penale, sidomos të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Çdo ndryshim, shton Shoqata, duhet të nisë nga statusi i prokurorit si magjistrat i pavarur “dhe jo nga një mosbesim i përgjithësuar ndaj funksionit të prokurorit”.
Shqetësimi për efektivitetin e hetimit është i drejtë dhe duhet marrë seriozisht. Pyetja që shtron reforma, megjithatë, nuk është nëse prokurorit i besojmë apo jo. Pyetja është kush vendos, dhe brenda cilave kufij, kur shteti hyn në hapësirën personale, ndonjëherë edhe intime, që njeriu i sotëm e mban në xhep: telefonin.
Çfarë i kundërvihet saktësisht Shoqata
Kundërshtimet e Shoqatës mblidhen në tri pika. E para është detyrimi që “çdo sekuestrim të bëhet paraprakisht përmes kërkesës në gjykatë”, që ajo e quan “tërësisht i panevojshëm”, sepse personi të cilit i merret sendi ka edhe sot të drejtë ankimi te gjykata. E dyta është se projekti largohet nga modeli italian, nga i cili huazon institute të tjera, pikërisht “lidhur me vleftësimin e kontrollit dhe sekuestros nga prokurori”. E treta është shtimi i rasteve të papërdorshmërisë, që sipas Shoqatës nuk duhet të vijë automatikisht “për çdo mosrespektim formal”.
Po t’i vëmë përballë jurisprudencës së viteve të fundit, dy nga këto argumente nuk qëndrojnë. I treti ka një bërthamë të drejtë që ia vlen ta saktësojmë.
Ankimi i mëvonshëm: garanci në letër, e munguar në praktikë
Argumenti se mjafton ankimi pas veprimit nuk është pa bazë. Strasburgu e ka pranuar se mungesa e një vendimi paraprak mund të kompensohet me një shqyrtim gjyqësor të mëvonshëm, me kusht që gjyqtari ta vlerësojë realisht ligjshmërinë dhe arsyet e masës. Këtë standard e ka kujtuar vetë Gjykata Kushtetuese në vendimin nr. 78/2026, duke shtuar se, sipas GJEDNJ-së, kontrolli i përmbajtjes së një telefoni celular nuk mund t’i lihet diskrecionit të pakufizuar të prokurorit.
Por praktika e ka zbrazur këtë kusht. Brenda një viti, Gjykata Kushtetuese ka gjetur tri herë se kontrolli i mëvonshëm nuk funksionoi. Në çështjen Studio Pustina (vendimi nr. 42/2025), një urdhër sekuestrimi për dokumente dhe “çdo gjë tjetër” me rëndësi për hetimin u zbatua si kontroll zyre, pa vendim gjykate, dhe gjykatat nuk e shqyrtuan as urgjencën, as domosdoshmërinë. Në çështjen Onejda Ymeraj (nr. 44/2025), vendimi për ekspertimin autorizonte nxjerrjen e të gjitha kategorive të të dhënave, përfshirë të fshirat. U kopjua gjithçka që kishte telefoni, ndërsa gjykatat vlerësuan vetëm sekuestrimin e pajisjes si send. Në çështjen Vladimir Vladimirov (nr. 78/2026), telefoni iu morr një personi që nuk ishte individualizuar në vendimin e kontrollit, dhe gjykatat u ndalën te vleftësimi nga prokurori, pa shqyrtuar domosdoshmërinë e proporcionalitetin.
Kur e njëjta garanci dështon tri herë radhazi, nuk kemi më një incident të izoluar. Kemi një defekt në mënyrën si është ndërtuar sistemi.
Pavarësia nuk e bën prokurorin palë neutrale
Shoqata ka të drejtë kur kujton se prokurori shqiptar është magjistrat dhe se ka detyrimin të mbledhë prova si për fajësinë, ashtu edhe për pafajësinë. Por pavarësia nga pushteti ekzekutiv nuk e bën prokurorin vlerësues të një ndërhyrjeje që e kërkon vetë. Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian e ka thënë qartë në çështjen Prokuratuur (C-746/18): prokuroria që drejton hetimin dhe ushtron ndjekjen penale nuk mund të autorizojë aksesin në të dhënat e trafikut dhe të vendndodhjes. Në çështjen Landeck (C-548/21), e njëjta gjykatë kërkoi që për aksesin në telefon të ketë kontroll paraprak nga një gjykatë ose nga një organ i pavarur, me përjashtim të urgjencës së arsyetuar.
Prokurorit nuk i hiqet asgjë nga roli. Ai vazhdon ta drejtojë hetimin dhe të vendosë çfarë kërkon. Gjyqtari shqyrton vetëm një gjë: nëse hyrja në telefonin e dikujt është e ligjshme, e nevojshme dhe proporcionale. Ai që kontrollon një kompetencë nuk e ushtron atë.
Edhe argumenti italian i kthehet Shoqatës. Më 10 prill 2024, Senati i Italisë miratoi projektligjin Zanettin–Bongiorno (nr. 806), që fut nenin e ri 254-ter në Kodin e Procedurës Penale. Sipas tij, sekuestrimin e pajisjeve dhe sistemeve informatike e vendos gjyqtari i hetimeve paraprake, me kërkesë të prokurorit. Në urgjencë prokurori mund të veprojë vetë, por brenda 48 orëve duhet të kërkojë vleftësimin e gjyqtarit, ndërsa sekuestrimi i të dhënave të komunikimeve kërkon në çdo rast vendim gjyqtari. Teksti ende shqyrtohet në Komisionin e Drejtësisë të Dhomës së Deputetëve (akti nr. 1822), por drejtimi është i qartë. Ligji italian i delegimit evropian për vitin 2025, nga ana e tij, i jep qeverisë mandat ta përshtasë legjislacionin me vendimin Landeck.
Gjykata e Kasacionit nuk e priti ligjvënësin. Në vendimin nr. 13585 të 1 prillit 2025, Seksioni VI vlerësoi se aksesi në të dhënat e një pajisjeje për qëllime hetimi kërkon kontrollin e një gjyqtari ose të një organi të pavarur, të tretë ndaj atij që kërkon aksesin, dhe se ky kontroll “nuk mund të ushtrohet nga prokurori, për shkak të natyrës së tij si palë procedurale, pavarësisht statutit të tij të autonomisë”. Në vendimin nr. 33657 të 13 tetorit 2025, Seksioni II e shpalli të paligjshëm sekuestrimin e një telefoni nga i cili prokurori kishte marrë të gjitha mesazhet, videot dhe fotografitë, pa shpjeguar pse ishte i nevojshëm verifikimi i plotë i tyre dhe si pajtohej ai me proporcionalitetin. Modeli italian po lëviz, pra, drejt asaj nga e cila Shoqata thotë se po largohemi.
Urgjenca: ruaje shpejt, hap me vendim
Rreziku i fshirjes në distancë, i enkriptimit dhe i humbjes së aksesit është real. Konventa e Budapestit, e ratifikuar me ligjin nr. 8888, datë 25.04.2002, e trajton ruajtjen e përshpejtuar të të dhënave (neni 16) veçmas nga kërkimi dhe sekuestrimi i tyre (neni 19). Për të dyja kërkon garancitë e nenit 15: proporcionalitet, mbikëqyrje gjyqësore ose të pavarur, si dhe kufij në shtrirje e në kohëzgjatje.
Kodi ynë e njeh të njëjtën ndarje. Neni 299/a i jep vetë prokurorit të drejtën të urdhërojë ruajtjen e përshpejtuar të të dhënave për deri në 90 ditë, dhe projektligji nuk e cenon këtë shpejtësi. Ai lejon vulosjen, izolimin dhe kopjen teknike të plotë si masë ruajtëse. Leximin dhe analizën e përmbajtjes e kushtëzon me vendim gjykate ose, në urgjencë të ngushtë, me vleftësim gjyqësor brenda 48 orëve, pra me të njëjtin afat që parashikon neni 254-ter italian. Gjykata Kushtetuese e ka vënë këtë kufi që tani: urgjenca duhet të jetë “reale, konkrete dhe e argumentuar” dhe nuk jep të drejtë për kërkim të pakufizuar (vendimi nr. 78/2026).
As garancia gjyqësore nuk lind me projektligjin. Neni 208/a i KPP-së kërkon vendim gjykate që nga viti 2008, por vetëm “në rastin e procedimeve për krime që lidhen me teknologjinë e informacionit”. Ky kufizim nuk e ndjek gjerësinë e Konventës së Budapestit, pasi neni 14, pika 2, shkronja “c”, i shtrin masat procedurale edhe te mbledhja e provave elektronike për çdo vepër penale, jo vetëm për ato informatike. Për të gjitha veprat e tjera, telefoni është trajtuar shpesh si një send i zakonshëm, i sekuestruar sipas rregullave të përgjithshme. Këtë boshllëk kanë provuar ta mbushin vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë nr. 147/2021 (Lapsi.al) dhe jurisprudenca kushtetuese. Tani po e mbyll ligjvënësi.
Mangësi formale apo mungesë e kushtit juridik
Në një pikë Shoqata ka të drejtë: jo çdo parregullsi duhet të sjellë papërdorshmëri. Një pasaktësi materiale në procesverbal nuk peshon sa mungesa e autorizimit gjyqësor që kërkon ligji, ose sa tejkalimi i kufijve të tij. Në rastin e dytë nuk kemi një formalitet që riparohet me një plotësim. Mungon vetë kushti juridik i ndërhyrjes. Autorizimi nuk është një dokument dekorativ në dosje, dhe nuk bëhet “mangësi formale” vetëm sepse i vihet ky emër.
Strasburgu, nga ana tjetër, nuk kërkon përjashtim automatik të çdo prove të marrë në mënyrë të paligjshme. Nga Schenk kundër Zvicrës te Bykov kundër Rusisë, neni 6 e vlerëson drejtësinë e procesit në tërësi. Por standardi i Konventës është minimumi, jo tavani. Asgjë nuk e pengon ligjvënësin shqiptar të parashikojë garanci më të forta, siç bën dispozita përkatëse e projektit, kur shkelja prek pikërisht kushtin e ndërhyrjes.
Italia tregon çfarë ndodh kur ligjvënësi hesht. Në vendimin nr. 13585/2025, Kasacioni vuri re se disiplina e brendshme nuk përputhet me të drejtën e Bashkimit Evropian, por e la provën të përdorshme, sepse ligji italian nuk parashikon një ndalim të shprehur për këtë rast. Shkelja e kushtit mbeti pa pasojë. Projektligji shqiptar kërkon ta mbyllë këtë boshllëk që në fillim.
Posedimi i një telefoni nuk është indicie për veprimtari të kundërligjshme
Kur gjatë një kontrolli gjendet një armë pa leje, vetë posedimi i saj mund të jetë fakt penal. Me telefonin, kompjuterin, USB-në apo llogarinë cloud nuk ndodh kështu. Fakti që një pajisje mund të përmbajë të dhëna me vlerë për hetimin nuk mjafton për ta sekuestruar dhe për t’i hapur përmbajtjen. Përndryshe, një mundësi e thjeshtë teknologjike do të shndërrohej në prezumim të përgjithshëm hetimor, i zbatueshëm për çdo qytetar.
Gjykata Kushtetuese e ka thënë këtë në çështjen Vladimirov: prania e një personi në ambientet e kontrolluara dhe cilësia e tij si administrator i shoqërisë nuk mjaftojnë, pa një analizë të rrethanave konkrete, për të justifikuar dyshimin se ai mban prova me vete. Barra për të provuar lidhjen konkrete mes pajisjes, të dhënave dhe objektit të hetimit i takon organit procedues, jo atij që e përdor pajisjen për qëllime të ligjshme.
Çfarë i mbetet ligjvënësit
Debati që nisi Shoqata është i dobishëm nëse e çon reformën drejt saktësisë dhe jo drejt tërheqjes. Ligji duhet të përcaktojë qartë afatet e ruajtjes urgjente dhe të kontrollit, ta ndajë sigurimin teknik nga kërkimi në përmbajtje, të rregullojë zgjerimin e shpejtë të autorizimit kur hetimi zbulon fakte të reja dhe të garantojë ndarjen e asgjësimin e të dhënave që s’kanë lidhje me hetimin. Mendoj se duhet të shkojë edhe më tej se projekti aktual. Verifikimi i integritetit me vlerë hash, pjesëmarrja e mbrojtjes në kopjimin dhe ekspertimin e të dhënave, siç e parashikon edhe neni 254-ter italian, dhe akreditimi i laboratorëve të kriminalistikës digjitale nuk janë luks teknik. Pa to, prova nuk bëhet e besueshme përpara gjykatës.
Kur një praktikë ndiqet për vite dhe Gjykata Kushtetuese e gjen në kundërshtim me garancitë kushtetuese, përgjigja nuk mund të jetë mbrojtja e saj. Përsëritja nuk e bën të ligjshëm një veprim. Pavarësia e prokurorit nuk është pavarësi nga ligji.
Hetimi efektiv dhe të drejtat nuk janë dy gjëra që zgjidhen njëra në vend të tjetrës. Një hetim i ligjshëm duhet të jetë i shpejtë, teknikisht i aftë dhe i kontrollueshëm. Kontrolli gjyqësor nuk e ngadalëson hetimin e ligjshëm. Është një nga gjërat që e bëjnë të ligjshëm./k.m
