Last Updated on 12/08/2026 by EL
Autoritetet e Kuvajtit thanë të mërkurën se forcat e sigurisë kanë parandaluar një “komplot terrorist” që synonte një objekt të rëndësishëm dhe kanë arrestuar një shtetas kuvajtian të lidhur me grupin terrorist ISIS, përpara se plani të vihej në zbatim.
Në një deklaratë, Ministria e Brendshme tha se Shërbimi i Sigurisë së Shtetit zbuloi komplotin pas një monitorimi dhe mbikëqyrjeje intensive.
Sipas ministrisë, hetimet zbuluan se i dyshuari kishte marrë trajnim për eksplozivët dhe prodhimin e dronëve, si dhe kishte ndërtuar një dron që synohej të përdorej në një sulm ndaj një objekti të rëndësishëm. Ministria nuk bëri të ditur se për cilin objekt bëhej fjalë.
Ajo tha se ndaj të dyshuarit janë ndërmarrë procedurat ligjore dhe se ai i është referuar autoriteteve përkatëse për të vijuar hetimet dhe për të ndërmarrë veprime të mëtejshme në përputhje me ligjin.
Ministria e Brendshme theksoi se strukturat e saj të sigurisë do të vijojnë përpjekjet parandaluese për të zbuluar dhe neutralizuar aktivitete apo komplote që kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e Kuvajtit.
Ministria thekesoi gjithashtu se do të mbajë një qëndrim të vendosur ndaj kujtdo që synon të rrezikojë sigurinë e vendit apo jetën dhe sigurinë e qytetarëve dhe banorëve, si dhe do të veprojë me vendosmëri ndaj aktiviteteve të dyshimta, në përputhje me ligjin./ET
