Last Updated on 16/10/2026 by Monika
Nga Ilirjan Agolli
Për ata që derdhin lotë krokodili për dëmtimet e protestës në Tiranë, kujtojmë se kryeqyteti ynë ka vite që është i thyer në mes, i dërrmuar nga keqqeverisja.
Tirana e ka kryebashkiakun në burg, i dyshuar për një seri veprash penale dhe korrupsion.
Kryeqyteti po vuan dhe po bllokohet nga qindra leje ndërtimi mbi çdo park dhe lulishte, që ka mbetur ende. Nuk po mbetet asnjë pëllëmbë shesh bari, që nuk po ndërtohet një kullë.
Tirana po shkretohet e po vidhet në çdo cep e trotuar të saj, deri edhe në mbetjet urbane të saj.
Kryeqyteti iu vodh inceneratori i mbetjeve urbane në letra dhe nuk u ndërtua kurrë. Emergjenca mjedisore ësthë aty dhe Shara është një bombë ekologjike tashmë.
Tirana është një qytet i vjedhur dhe i thyer në çdo segment të jetës së vet. Shkollat problematike, spitalet problematike, policimi problematik, trafiku problematik, siguria ushqimore problematike, parkimet problematike, ndotja e ajrit problematike, papunësia problematike, strehimi problematik, emigrimi problematik.
Tirana është plaga e madhe e Shqipërisë. Nuk ke nga ta zësh e nga ta mjekosh më parë.
Ndërsa kryeministri qeveris me laps të hekurt. Shkaravit muret me lapustila dhe e quan art. Pjek poçe balte dhe firmos për kulla e resorte. Kulla e resorte, që nuk ia kanë kërkuar votuesit as qytetarët, që kanë një listë të gjatë me prioritete krejt të tjera, nga ato të jetës së përditshme, që sa vjen e shtrenjtohet përherë e më shumë. Dikur një pedagog pikture pa as njohurinë më të vogël për ekonominë, sot rrotullon nëpër duar miliarda euro. Nga më i madhi e gjer më poshtë, politikat skandaloze nepotike e militanteske të rekrutimit të personelit kanë bërë që pothuaj asnjë titullar zyrash të mos ketë CV e kredite profesionale për detyrat zyrtare që kanë marrë përsipër. Shto këtu edhe këshilltarët servilë, që nuk kundërshtojnë asnjë herë. Shto këtu edhe kërcënimin që po nuk firmose, ik, se gati është tjetri që të zë vendin dhe firmos ato që dua unë.
Ndërkohë lapsi me firmat e kryeministrit mbi lejet e ndërtimit dhe mbi projektet qindra miliona euro, që nuk janë prioritete për vendin dhe jetën e përditshme të qytetarëve, thyen edhe shkatërron më shumë se sa levat e të rinjve mbi disa semaforë apo disa vitrina.
Korrupsioni kapilar po i merr frymën realisht jetës tonë. Metastazat e korrupsionit kanë pushtuar çdo qelizë të shoqërisë tonë.
Hajduti kapet me para në duar dhe as dorëzohet e as dorëhiqet. Se e mbron kryehajduti. Ndonëse ai formalisht distancohet se gjoja po u kapën, askush nuk i mbron nga maxhoranca, kjo nuk është aspak e vërtetë.
Të gjithë mbrojnë njëri tjetrin në zinxhir dhe të gjithë bashkë mbrojnë të madhin. Ai del garant për të gjithë kur i emëron dhe ai del e i mbulon kur vjen t’i lëshojë.
Edhe tallet se iksi apo ypsiloni hante fruta pas shpinës së tij. Nga metaforat bajate me tepsinë apo me timonin, tani ka kaluar tek frutat pas shpine, ngjashëm me thika pas shpine.
Askush nuk beson se ai nuk i ha frutat. Jo. Ai nuk ha çfarë lënë të tjerët. Jo. Ai ha fruta i pari dhe të tjerët hanë çfarë lë ai. Se meqë citon shpesh edhe libra fetarë, urdhëresa “Mos vidh!” është ndër më kryesoret e gjithë mësimeve në të gjithë librat fetarë të gjithë besimeve: Mos merr atë që nuk është e jotja, mos lakmo gjënë e tjetrit, mos vidh…
Por këtu, vidh e vidh në çdo institucion, me lloj lloj tenderash e procedurash. Shumë prej titullarëve dhe më të vegjël se ata janë tashmë në rresht drejt SPAK-ut dhe i pret burgu. Ato pak që dimë dhe që ka zbuluar SPAK-u, me siguri janë shumë here më pak nga ç’është vjedhur dhe videt realisht. Vidh e vidh e bë mullar.
Mullari i vjedhjeve është rritur tepër, është bërë i padurueshëm dhe strumbullari i gjithë vjedhjeve është kryeministri. Dorëheqja e tij kokulur duhet të ishte prej kohësh akti më i thjeshtë, që duhet ta bënte shoqëruar edhe me një ndjesë të madhe. Por kjo nuk po ndodh ende.
Ndaj qytetarëve u mbetet ta shfrejnë mllefin dhe zemërimin e tyre mbi kangjella, vetrata, dyer dritare dhe semaforë, që në fund të të fundit janë pronë e po këtij publiku, që i ka paguar dhe do t’i paguajë vet.
Për ata që derdhin lotë krokodili për disa semaforë dhe vetrata lirisht mund t’a mendojnë se 50 semaforë dhe 50 dritare mund të zëvendësohen brenda 50 ditësh, por pasojat e keqqeverisjes, dëmet e krimit dhe korrupsionit të kësaj mazhorance nuk do të riparohen dot as për 50 vjet.
Ndaj kryerilindarin dikush ta bëjë esëll nga dehja e pushtetmadhit dhe ta këshillojë për një dorëheqje kokulur dhe me një ndjesë të madhe. Edhe si gjithë të tjerët, të dorëzojë edhe celularët.
