Last Updated on 12/10/2026 by EL
Albi Lika ka marrë detyrën e Administratorit të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës. Ai u prezantua gjatë ditës së sotme para stafit në prezencë të drejtorit të përgjithshëm të AKUK, Fludian Çuka. Ai do të zëvendësojë në këtë detyrë Migen Dukën.
Albi Lika vjen nga sektori i biznesit privat dhe e ka pranuar këtë detyrë si një sfidë personale dhe profesionale, me dëshirën për të vënë në shërbim të qytetarëve përvojën dhe njohuritë e tij në menaxhimin e një ndërmarrjeje me rëndësi të veçantë për jetën e përditshme të qytetarëve të Durrësit dhe rajonit, ku ofrohet shërbimi i ujësjellës-kanalizimeve.
Albi Lika është inxhinier elektrik, drejtues teknik dhe këshilltar teknik, me përvojë të konsoliduar në fushën e infrastrukturës elektrike, rrjeteve elektroenergjetike dhe administrimit të aktiviteteve të biznesit. Nga tetori i vitit 2017, ai është administrator dhe bashkëthemelues i kompanisë Electrical & IT Solution, e cila kryen punime civile dhe elektrike.
Përvoja e tij profesionale nisi në vitin 2008 si inxhinier elektrik pranë fabrikës së tullave KID-Alb në Maminas. Në periudhën 2010–2013 punoi si inxhinier elektrik pranë Autoritetit Portual Durrës. Nga viti 2019-2026 ka qenë drejtues teknik pranë kompanive të ndryshme private që kanë pasur si detyrë mirëmbajtjen e rrjetit elektrik të Autoritetit Portual Durrës, si një objekt i rëndësisë së veçantë.
Këto angazhime i kanë dhënë përvojë në mirëmbajtjen dhe menaxhimin e infrastrukturës elektrike dhe në koordinimin e punëve teknike. Gjatë karrierës ka qenë i përfshirë në projekte elektrike për objekte dhe infrastruktura të ndryshme në fushën elektrike. Formimin e tij e ka plotësuar me trajnime profesionale në Belgjikë për inxhinierinë portuale dhe stacionet e pompimit të ujit, si dhe me trajnimet e ABB-së për pajisjet e tensionit të ulët.
Albi Lika ka përfunduar studimet Bachelor (2005–2008) dhe Master Shkencor (2008–2010) në Inxhinieri Elektrike, në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike të Universitetit Politeknik të Tiranës. Ai zotëron shumë mirë gjuhët angleze dhe italiane, ka aftësi të mira komunikimi dhe bashkëpunimi në grup./et
