Mjeku i njohur Edmond Faber, ish-mbështetës i hershëm i Partisë Socialiste dhe bashkëshorti i ish-ambasadores së Shqipërisë në SHBA, Floreta Luli Faber, i ka drejtuar një letër publike kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar të largohet nga detyra për t’i hapur rrugë qetësimit të situatës dhe përfundimit të protestave.
Në letrën e tij, Faber shpreh zhgënjimin për qeverisjen e Ramës, duke kujtuar mbështetjen që i ka dhënë në të kaluarën Partisë Socialiste dhe kryeministrit. Ai kritikon skandalet dhe korrupsionin që, sipas tij, kanë shoqëruar qeverisjen, ndërsa i kërkon Ramës të dëgjojë studentët dhe të kërkojë falje publikisht.
“Dalë nga dalë pushteti yt degjeneroi në skandale të padëgjuara ndonjëherë, deri në korruptimin e shefit të shërbimit sekret. Ku Gysi dhe Beqiri vodhën me qindra milionë euro, ku banda e drejtorëve të tu ishte në garë kush e kush të bënte më shumë lekë se shoshoqi. Ku deputetët e listave të tua, si motrat e Këpëratës, bëjnë sfilata mode në një vend të drobitur nga varfëria”, shkruan Faber.
Mjeku i kujton kryeministrit se largimi në momentin e duhur mund të jetë një akt dinjiteti dhe jo dobësie. Ai i kërkon të marrë përgjegjësi për situatën e krijuar dhe të mos lejojë që protestat të vijojnë.
“Trim nuk është vetëm ai që qëndron, por edhe ai që ikën, dhe mirditorët thonë: ‘Ma mirë një e hikme me nder… se sa një e qëndrume për gazep’. Të largohesh në momentin e duhur, edhe pse je ca me vonesë, është dinjitet. Largohu me nder, që protestat të mbyllen, populli të qetësohet dhe jeta të rifillojë”, shkruan ai.
Në fund të letrës, Faber i kërkon Ramës t’u drejtohet studentëve dhe t’u kërkojë falje publikisht në televizion, duke e paralajmëruar se një vonesë e mëtejshme mund ta rëndojë situatën.
“Dëgjoi studentët dhe kërkoi falje në televizion (sepse po t’u dalësh përpara, do të të turpërojnë). Bëje sot këtë, se nesër do jetë shumë vonë. Lamtumirë, i dashur Edi, suksese në jetë”, e mbyll letrën mjeku Edmond Faber, duke u prezantuar si “një qëndrestar i hershëm i PS-së”.
Letra drejtuar Edi Ramës
I nderuar Kryeministër Rama,
I dashur Edi,
Kam shkruar mjaft herë për problemet e
shumta të keq-qeverisjes, dhe jam kritikuar nga pushtet-mbajtes, por jam lëvduar nga mijra e mijra qytetarë dhe miq të mij si brenda Shqipërisë ashtu edhe jashtë saj.
Këto ditë kam kujtuar me orë të tëra kalvarin e gjatë te perpjekjeve dhe përplasjeve për sjelljen ne pushtet të PS dhe Ty si Kryeministër. Ti në atë kohe të largët të fillim pranverës te vitit 2013, erdhe në Spitalin e Traumës dhe çele fushatën elektorale ku gjithë populli të përkrahu dhe ti erdhe në pushtet. Atëherë isha krenar, sepse isha idealist, desha nje zhvillim ekonomik dhe kulturor europian për gjithë shqiptarët. Dalë nga dalë pushteti yt degjeneroi në skandale të pa dëgjuara ndonjë herë, deri ne korruptimin e shefit të shërbimit sekret…… Ku Gysi dhe Beqiri vodhën me qindra milionë euro, ku banda e drejtorëve të tu…..ishte në garë kush e kush të bënte më shumë lekë se shoshoqi. Ku Deputetet e listave të tua si motrat e Këpëratës, bëjnë sfilata mode në një vënd të drobitur nga varferia. Nuk do zgjatem më shumë, sepse Elisa ti kishte rreshtuar më mirë se unë. Unë dua vetëm të të ndihmoj edhe një herë, për herë të fundit, duke të siellë nie shprehie mirditore.
Trim nuk është vetëm ai që qëndron, por edhe ai që ikën, dhe mirditorët thonë: Ma mirë një e hikme me nder… se sa një e qëndrume për gazep. Të largohesh në momentin e duhur (edhe pse je ca me vonesë) është dinjitet. Largohu me nder, që protestat të mbyllen, populli të qetësohet dhe jeta te rifillojë. Mos i lër turpin Zahos dhe Gregut të dëgjojnë jo mirë per babanë e tyre. Dëgjoi Studentët, dhe kërkoi falje në televizion (sepse po tu dalësh përpara……do të të turpërojnë). Bëje sot këtë……..se nesër do jetë shumë vonë. Lamtumirë i dashur Edi, suksese në jetë.
Me respekt, një qëndrestar i hershëm i PS.
Dr Edmond Faber.
