Filozofja dhe shkrimtarja shqiptare Lea Ypi është shpallur fituese e Çmimit Hannah Arendt për Mendimin Politik për vitin 2026, një vlerësim ndërkombëtar që u jepet personaliteteve me kontribut të rëndësishëm në mendimin dhe debatin politik publik.
Lajmi është bërë i ditur nga London School of Economics and Political Science (LSE), ku Ypi mban titullin profesore e Politikës dhe Filozofisë.
Juria ndërkombëtare e ka cilësuar Ypin si një nga mendimtaret politike më të shquara të kohës sonë, duke vlerësuar punën e saj filozofike, politike dhe letrare mbi çështje themelore të demokracisë, si liria, e vërteta, drejtësia, dinjiteti njerëzor dhe kushtet që e bëjnë të mundur veprimin politik.
Në argumentimin e vendimit, juria i ka kushtuar rëndësi të veçantë aftësisë së saj për të lidhur përvojat e jetës nën një sistem totalitar me reflektimin filozofik dhe analizën historike.
Sipas jurisë, nga ndërthurja e përvojës personale, kujtesës dhe gjykimit kritik, Ypi ka zhvilluar një formë të pavarur të mendimit politik publik.
“Demokracia është e brishtë, përgjegjësia jonë është më urgjente se kurrë”
Duke komentuar vlerësimin, Ypi tha se ndihej e nderuar që merrte një çmim që mban emrin e filozofes Hannah Arendt, një prej figurave më me ndikim në mendimin politik të shekullit XX.
Ajo theksoi se vepra e Arendt mbi filozofin Immanuel Kant ka qenë thelbësore për mënyrën se si e interpreton Iluminizmin, jo thjesht si një periudhë historike, por si një mision politik që mbetet ende për t’u realizuar.
“Në një kohë kur praktika demokratike është kaq e brishtë, thirrja e saj për të marrë përgjegjësi për botën që ndajmë është më urgjente se kurrë”, u shpreh Ypi.
Nga kujtesa e Shqipërisë komuniste te debati filozofik ndërkombëtar
Lea Ypi është autore e librit Free: Coming of Age at the End of History (2021), një rrëfim autobiografik dhe filozofik mbi fëmijërinë dhe rininë e saj në Shqipëri, në periudhën e rënies së komunizmit dhe tranzicionit politik.
Libri u përfshi në listën e ngushtë të kandidatëve për çmimin Costa Biography Award dhe e bëri Ypin një zë të njohur në debatin ndërkombëtar mbi lirinë, ideologjinë dhe përvojën e ndryshimeve politike.
Në vitin 2025 ajo botoi edhe Indignity: A Life Reimagined, një vepër që vijon ndërthurjen e historisë personale dhe familjare me reflektimin mbi dinjitetin, kujtesën dhe politikën.
Çmimi Hannah Arendt për Mendimin Politik nderon autorë dhe intelektualë që kontribuojnë në mendimin dhe veprimin politik publik, në traditën e filozofes gjermano-amerikane.
Ceremonia e dorëzimit të çmimit për Lea Ypin do të zhvillohet më 10 dhjetor 2026, në Bashkinë e Bremenit, në Gjermani./k.m
