Last Updated on 20/07/2026 by Monika
Legjenda e shahut, Judit Polgar, ka refuzuar ofertën e kryeministrit hungarez Peter Magyar për të marrë postin e presidentes së ardhshme të Hungarisë.
“Nuk mendoj se kam forcën për të marrë mbi supe përgjegjësinë historike të bashkimit të një kombi të ndarë, ndaj nuk mund ta pranoj këtë ftesë”, shkroi Polgar në rrjetet sociale.
Ajo shtoi se do të bëjë gjithçka që ka në dorë për të mbështetur zgjedhjen e një presidenti të ri, të pavarur dhe të respektuar, i cili do të mund të përmbushë këtë mision.
Reagimi i saj erdhi pasi grupi parlamentar i partisë Tisza kishte shpallur publikisht mbështetjen për kandidaturën e saj. Megjithatë, kritikët vunë në dukje se, ndryshe nga premtimet e mëparshme, emërimi i saj nuk ishte paraprirë nga një konsultim i gjerë publik.
Kryeministri Peter Magyar e falënderoi Polgar përmes një komenti në rrjetet sociale.
“E dashur Judit, faleminderit për gjithçka që ke bërë për Hungarinë. Besoj se mund të flas në emër të miliona hungarezëve kur them se, edhe në një rol tjetër, do të vazhdojmë të mbështetemi tek ti edhe në të ardhmen”, shkroi ai.
Magyar e kishte propozuar Polgar një ditë më parë si një presidente “për të cilën të gjithë hungarezët mund të jenë krenarë”, pasi mandati i presidentit Tamás Sulyok përfundoi të hënën si rezultat i një amendamenti kushtetues të miratuar javën e kaluar.
Sipas Kushtetutës, deri në zgjedhjen e presidentit të ri, detyrën e kreut të shtetit e ushtron përkohësisht kryetarja e Parlamentit, Agnes Forsthoffer. Parlamenti duhet të zgjedhë presidentin e ri brenda 30 ditëve.
Drejtuesit e partisë në pushtet Tisza kanë deklaruar vazhdimisht se synojnë që në të ardhmen presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët dhe jo nga Parlamenti. Për këtë arsye, presidenti që do të zgjidhet tani mund të ketë vetëm një mandat të përkohshëm, deri në miratimin e një kushtetute të re.
