Last Updated on 27/04/2026 by Kesjana
Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Klodjan Braho, ka dhënë sqarime para anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë mbi disa çështje kryesore që lidhen me veprimtarinë e institucionit, përfshirë letërporositë, masat e sigurimit në mungesë dhe konfiskimin e pasurive.
Braho theksoi se një nga shqetësimet kryesore lidhet me statusin e specialistëve që bashkëpunojnë me autoritetet e huaja. Sipas tij, shumë veprime hetimore kryhen prej tyre dhe është e nevojshme që ky ngërç të rregullohet me ligj. Ai u shpreh se një status i qartë për specialistët do të ndihmonte në uljen e ngarkesës së hetuesve, duke shmangur procedurat e panevojshme administrative.
“Ajo që kemi kërkuar është të shikohet statusi i specialistëve që janë në marrëdhënie me jashtë. Shumë veprime kryhen prej tyre. Mendojmë se ngërçi duhet të rregullohet me ligj. Nëse specialistët do kenë statusin do sjellë që hetuesit të mos jenë të ngarkuar me procedurën”, tha Braho.
Duke folur për masat e sigurimit në mungesë, Braho sqaroi se SPAK ka bërë një ndarje të të dhënave për të evidentuar masat e ekzekutuara dhe ato të paekzekutuara. Sipas tij, personat që i shmangen drejtësisë përfaqësojnë raste ku nevojat për masa sigurimi janë më të larta dhe vendimet janë të justifikuara.
Ai shtoi gjithashtu se SPAK nuk ka struktura të specializuara për ekzekutimin e masave të sigurimit. “SPAK bën kërkesën, merr masën dhe pret që vendimi të ekzekutohet,” u shpreh ai.
“E kemi ndarë numrin në tabelë, për të kërkuar masat që janë ekzekutuar dhe ato që nuk janë ekzekutuar. Kjo është për të dalluar këtë situatë. Personat që i fshihen drejtësisë janë në kushte që nevojat e sigurimit janë më të larta dhe masa është plotësisht e justifikuar. E kemi bërë diferencimin për të treguar diferencimin e veprave penale.
Siç dihet SPAK nuk ka struktura të specializuara që kanë të bëjnë me ekzekutimin e masave të sigurimit.
SPAK bën kërkesën merr masën dhe pret që vendimi të ekzekutohet”, tha Braho.
Sa i përket konfiskimit të pasurive, Braho theksoi se ekziston një diferencë e dukshme mes numrit të pasurive të sekuestruara dhe vlerës së tyre. Ai shpjegoi se në raport janë pasqyruar sekuestrimet e kryera gjatë vitit 2025, si dhe konfiskimet me vendim të formës së prerë për të njëjtën periudhë.
Sipas tij, një pjesë e pasurive me vlera të mëdha janë ende në proces hetimi ose gjykimi dhe nuk mund të konsiderohen të konfiskuara deri në përfundimin e çështjeve. Ai theksoi gjithashtu se jo çdo pasuri e sekuestruar përfundon domosdoshmërisht në konfiskim, ndërsa shumica e masave lidhen me sekuestrime preventive gjatë hetimeve penale./kb
